“Me çizme me baltë nuk hyhet në BE”, Korreshi ironizon Gogun: Nuk na çoni ju në ‘Uropë’

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar ashpër mazhorancën gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, teksa diskutonte me deputetin socialist Toni Gogu për procesin e integrimit europian.

Korreshi vuri në dukje problematikat bazë që, sipas tij, tregojnë se Shqipëria është ende larg standardeve të Bashkimit Europian, duke përmendur mungesën e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike dhe gjendjen e infrastrukturës në zonat rurale.

Ai rrëfeu edhe një episod personal nga Lushnja, ku tha se familjarët e tij kishin mbetur për orë të tëra pa energji elektrike në mes të dimrit. “Më mori nëna në telefon se kishte ftohtë, kishte mbushur bidonin me ujë të ngrohtë. Me këto kushte do hyjmë në Europë?”, u shpreh Korreshi.

Deputeti demokrat ironizoi premtimet për integrimin europian duke theksuar se vendi nuk mund të shkojë drejt BE-së “me kanale të papastruara, pa drita dhe me fshatarë që nuk përfitojnë nga ekonomia e gjelbër”.

“Me çizme me baltë dhe brekë të grisura nuk hyhet në Europë”, tha Korreshi, duke shtuar se integrimi nuk është propagandë, por standard jetese për qytetarët.

Nga ana e tij, Toni Gogu u përpoq të relativizojë ironitë e Korreshit, duke thënë se procesi i integrimit është i gjatë dhe se përfitimet nga fondet e BE-së janë në rritje, edhe pse pranoi se ato janë ende në fazë fillestare.

Debati mes dy deputetëve u shoqërua me tone ironike dhe replika të forta, duke reflektuar përplasjen e vazhdueshme mes mazhorancës dhe opozitës për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related