Zhvillime të reja kanë dalë në pah pas atentatit të ndodhur në Rinas, ku mbeti i vrarë Muçi Shaljani, i njohur si “Sheqeri”. Konflikti tashmë është zhvendosur brenda familjes, me përplasje për çështje pronësie.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për vëllain e tij, Shemsi Shaljani, i cili akuzohet për dhunë në familje ndaj bashkëshortes së të ndjerit. Sipas kallëzimit, ngjarja lidhet me pretendimet për pronësinë e një objekti katërkatësh dhe dy ambienteve bar-kafe në rrugën “Spiro Deda”.
E veja e Shaljanit ka deklaruar se pas vdekjes së bashkëshortit, familjarët e tij kanë kërkuar kontroll mbi pronat, duke i marrë edhe çelësat e banesës. Fillimisht është arritur një marrëveshje për kthimin e tyre, por situata ka agravuar më pas.
Sipas dëshmisë, kunati i saj i ka shkuar në banesë, ka goditur derën dhe e ka kërcënuar që të largohej nga shtëpia së bashku me fëmijët. Pas denoncimit, policia ka ndërhyrë, ka marrë dëshmi dhe ka sekuestruar pamje filmike, ndërsa për gruan është lëshuar urdhër mbrojtjeje.
Ndërkohë, hetimet për atentatin e rëndë të 11 nëntorit 2025 vijojnë nga organet e drejtësisë. Shaljani u qëllua me armë zjarri pranë aeroportit të Rinasit, së bashku me Gilmando Danin, i cili humbi jetën në vend, ndërsa Shaljani ndërroi jetë më pas në spital.
Paralelisht, çështja ka sjellë edhe pasoja të tjera ligjore, pasi lidhur me punësimin e tij në Agjencia e Mbikëqyrjes Policore janë marrë të pandehur ish-zyrtarë për shpërdorim detyre.
Ngjarja vijon të jetë në qendër të hetimeve, duke përfshirë si aspektin kriminal të atentatit, ashtu edhe konfliktet familjare që kanë lindur pas tij.
