Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka akuzuar Bashkinë e Beratit për arrogancë dhe keqtrajtim ndaj banorëve që prej vitesh kërkojnë shtrimin e rrugës Mbolan–Veleshnjë–Gjeroven, një premtim që sipas tij është dhënë dhe ricikluar për më shumë se 15 vite.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Bozdo denoncon mënyrën sesi bashkia ka trajtuar qytetarët që kërkonin një të drejtë bazike, duke e cilësuar këtë sjellje si shprehje të një pushteti që mbijeton vetëm përmes dhunës dhe arrogancës.
Sipas tij, banorët janë përzënë nga institucionet vendore dhe janë përballur me përgjigje fyese, ku u është thënë hapur se votat e tyre janë marrë dhe do të merren sërish, por rruga nuk do të shtrohet. Deputeti thekson se kjo rrugë është premtuar vazhdimisht nga Partia Socialiste në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme, ndërsa banorët vazhdojnë të jetojnë në kushte të mjerueshme.
Bozdo rendit problemet serioze të zonës, duke përmendur mungesën e ujit, energjisë elektrike dhe gjendjen e degraduar të shkollës, kushte që sipas tij i përkasin “mesjetës” dhe jo një vendi që pretendon zhvillim.
“Me pak fjalë, dhunë dhe vetëm dhunë për të pambrojturit,” shkruan ai, duke shtuar se pikërisht këto kushte dhe arroganca e pushtetit janë arsyeja pse mbi 1.1 milionë shqiptarë janë larguar nga vendi dhe pse bujqësia e blegtoria po shkojnë drejt falimentimit.
Në përfundim të reagimit të tij, Bozdo fton qytetarët e Beratit dhe të gjithë Shqipërisë që të marrin pjesë në protestën e opozitës më 10 shkurt, në orën 17:00, në Tiranë, duke e cilësuar atë si protestën më të madhe opozitare.
