Një sherr për motive të dobëta ka ndodhur pasditen e së mërkurës, më 4 shkurt, në qytetin e Sarandës, duke përfunduar me plagosjen e rëndë të një personi.
Sipas informacioneve, 45-vjeçari Gëzim Preçi, lindur në Tiranë dhe banues në Lezhë, pas një grindjeje të çastit, ka goditur me grushte dhe sende të forta 48-vjeçarin Gentjan Mustafa, banor i Shelegarit. Ngjarja ka ndodhur pa një motiv të qartë, ndërsa dhuna e ushtruar ka qenë e konsiderueshme.
I plagosuri është transportuar fillimisht nga persona të pranishëm në urgjencën e spitalit të Sarandës. Mjekët kanë konstatuar dëmtime serioze në zonën poshtë syrit, thyerje të kockës dhe hemorragji okulare, çka e vë në rrezik humbjen e shikimit. Për shkak të gjendjes së rëndë, 48-vjeçari është dërguar me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka arrestuar autorin, i cili do të hetohet për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”.
Burime policore bëjnë me dije se 45-vjeçari ndodhej prej rreth një jave në Sarandë dhe kishte pasur edhe më herët konflikte me qytetarë të tjerë, por pa përdorur dhunë fizike me sende të forta. Gjithashtu, mësohet se ai ka shfaqur shqetësime të shëndetit mendor.
Për këtë arsye, pavarësisht arrestimit, Gëzim Preçi do të dërgohet për shtrim të detyruar në Spitalin Psikiatrik të Lezhës, ku do t’i nënshtrohet ekspertimit mjeko-ligjor për vlerësimin e gjendjes së tij mendore.
