Për të tretën herë radhazi, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve nuk është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke shkaktuar reagime të forta nga opozita.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi situatën si një skandal të rëndë institucional dhe akuzoi drejtuesit e Kuvendit për bllokim të qëllimshëm të procesit.
Sipas Bardhit, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka humbur çdo rol neutral dhe po vepron si zbatues i verbër i urdhrave politikë të kryeministrit Edi Rama, duke penguar që kërkesa e Prokurorisë së Posaçme të shqyrtohet brenda afateve ligjore.
“Prej gati dy javësh, anëtarët e PD-së në Këshillin e Mandateve kërkojnë shqyrtimin e kërkesës së SPAK, por mazhoranca po e zvarrit procesin për të mbrojtur Ballukun”, u shpreh Bardhi, duke shtuar se kjo sjellje rrit dyshimet për ndërhyrje politike dhe rrezik për prishjen e provave.
Demokratët kanë paralajmëruar se do të kërkojnë sërish mbledhjen e Këshillit, e cila sipas tyre duhet të zhvillohet më 6 janar, ndërsa theksojnë se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin dhe drejtësinë.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka deklaruar se çështja nuk do të ecë përpara pa u shprehur fillimisht Gjykata Kushtetuese, një qëndrim që opozita e konsideron si manovër për të fituar kohë dhe për të mbajtur nën mbrojtje politike zv/kryeministren.
