Gazetari Bledian Koka i ka cilësuar zgjedhjet si farsë dhe sistemin elektoral si një mekanizëm që po i nënshtrohet gjithnjë e më shumë deformimit.
“Ti nuk mund të pish të gjithë detin për të kuptuar se uji është i kripur”, tha Koka, duke nënvizuar se shenjat e manipulimit janë të dukshme.
Sipas tij, nuk ka ndodhur ndonjë çudi e madhe, pasi ky është një sistem që paralajmëron përkeqësim dhe nënshtrim të mëtejshëm të popullit.
“Ky është një regjim që u thotë njerëzve: përveç që ju kontrolloj jetën, ju fus në burg, ju zhvlerësoj lekët, ju kontrolloj edhe ëndrrat. Pallati i Ëndrrave i Kadaresë është realitet. Ne po e jetojmë në mota-mo, Pallatin e Ëndrrave të Edi Ramës”, u shpreh ai.
Gazetari vuri theksin edhe te votat e opozitës, duke theksuar se 530 mijë shqiptarë që votuan për një alternativë të dytë meritojnë transparencë të plotë për atë që ka ndodhur me procesin zgjedhor.
