Mbi 8 orë seancë në Apelin e GJKKO-së, BIRN zbardh dëshminë e Lefter Kokës: Peshkoni tek telefoni i Monika Kryemadhit

Data

Në një seancë maratonë, SPAK dhe përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve për aferën e incineratorit të Elbasanit parashtruan para Gjykatës së Posaçme të Apelit pretendimet e tyre, duke kërkuar të dyja palët prishjen e vendimarrjes. SPAK kërkoi dënim edhe për veprën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa të pandehurit kërkuan pafajësi.

Për 8 orë e gjysmë, trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Apelit, kryesuar nga gjyqtarja Igerta Hysi dhe anëtarë gjyqtarët Saida Dollani dhe Engert Pëllumbi, dëgjoi të premten më 25 tetor, konkluzionet dhe kërkimet e palëve në procesin për aferën e incineratorit të Elbasanit.

Procesi pason atë të shkallës së parë, ku ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u dënua me 5 vjet e tetë muaj burg për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave më 5 tetor 202. Gjykata dënoi gjithashtu me nga 6 vjet e 8 muaj burg të akuzuarit si organizatorë të skemës korruptive, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, ndërsa pronarja e Albtek Energy, Stela Gugallja u dënua me 4 vjet e 8 muaj burgim. Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako fitoi pafajësinë për këtë çështje. Vendimi u ankimua nga shumica e të pandehurve dhe nga SPAK.

Gjatë seancës të premten, kryesuesja e trupës vërejti një vendimarrje të ndërmjetme të mëparshme për pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, SPAK për përsëritje të pjesshme të gjykimit dhe u kërkoi përfaqësuesve të akuzës që të vijonin me paraqitjen e provave të reja.

Prokurorët Arben Kraja dhe Klodian Braho parashtruan qëndrimin e tyre lidhur me procedurën e ndjekur për vendimin e Këshillit të Bashkisë Elbasan, për shpalljen e situatës së emergjencës për mbetjet urbane. Sipas tyre, nga hetimi është provuar se një punonjëse e Ministrisë së Mjedisit ka hartuar vendimin e Këshillit të Bashkisë Elbasan për emergjencën. Ajo ia ka kaluar në email draftin e punuar Alqi Bllakos, ndërsa ky i fundit Mirel Mërtirit.

Kraja nënvizoi se këto shkëmbime email-esh provojnë se Bllako i ka bërë me dije Mërtirit përmbajtjen e vendimit të këshillit, si dhe vërtetojnë komunikimin mes tyre. Avokatët e të pandehurve kundërshtuan duke theksuar se këto rrethana nuk përbëjnë prova të reja, pasi janë trajtuar me detaje në shkallën e parë.

Prokurori Klodian Braho konstatoi se nga këqyrja e pajisjeve të gjetura gjatë kontrollit të banesës së Zotos, janë siguruar të dhëna që tregojnë se atij i është njoftuar më parë kontrata. Sipas Brahos, dy email-e nuk janë analizuar fare nga gjykata e shkallës së parë. Megjithëse këto veprime nuk u konsideruan si vepra penale prej organit të akuzës, u vërejt se ato provojnë njohjet dhe komunikimet mes Bllakos dhe të pandehurve si organizatorë të aferës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related