Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar ankimin e Ermir Ndrejajt, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Vendimi u mor këtë të martë nga gjyqtarja monokratike Saida Dollani, e cila shqyrtoi ankimin kundër vendimit nr. 367, datë 20 maj 2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Në kërkesën e tij, Ndrejaj kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”, si edhe depozitimin e informacionit nga Prokuroria e Posaçme mbi ecurinë e procedimit penal nr. 184/3 të vitit 2024.
Pas shqyrtimit të çështjes, Apeli vendosi të miratojë vendimin e shkallës së parë, duke mos pranuar kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë.
Njoftimi i GJKKO-së
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, vendosi:
- Miratimin e vendimit nr. 367, datë 20.05.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Lënien në fuqi të masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj Ermir Ndrejajt.
Ermir Ndrejaj është nën hetim për akuza që lidhen me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në kontrabandimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, duke përdorur kompani të dyshuara si struktura fasadë për realizimin e aktivitetit kriminal. Çështja vijon të jetë në proces gjyqësor.
