Dosja hetimore e SPAK për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) zbardh një skemë të gjerë procedurash prokurimi, ku dyshohet për shkelje të rënda ligjore, favorizim të operatorëve ekonomikë dhe pagesa fiktive për shërbime të pakryera.
Sipas dokumenteve të hetimit, procedurat e dyshuara ndahen në tre kategori kryesore: tenderë të zhvilluar gjatë periudhës kur dokumentohen takime mes drejtuesve dhe biznesmenëve të përfshirë; procedura ku janë tërhequr ankimime pranë Komisionit të Prokurimit Publik; si dhe tenderë ku dyshohet për kryerje fiktive të shërbimeve në favor të subjekteve private.
Në listën e procedurave të analizuara përfshihen kontrata për mirëmbajtje dhe zhvillim sistemesh informatike për institucione të rëndësishme shtetërore, me vlera nga dhjetëra miliona deri në mbi një miliard lekë pa TVSH. Bëhet fjalë për sisteme të lidhura me pronësinë, mjedisin, sigurinë kibernetike, shëndetësinë, aviacionin civil, administratën publike dhe sistemin penitenciar.
Një pjesë e dosjes fokusohet te tërheqja e ankimimeve nga kompani private, veprim që sipas hetuesve ka ndikuar drejtpërdrejt në favorizimin e fituesve të caktuar në disa procedura prokurimi. Këto raste lidhen me tenderë për Policinë e Shtetit, Doganat, Burgjet, institucionet e trashëgimisë kulturore dhe administratën financiare.
Po ashtu, SPAK ka veçuar një seksion për pagesa të dyshuara si fiktive, ku sipas dokumentacionit, janë kryer transferta financiare për shërbime që nuk rezultojnë të jenë realizuar realisht. Në disa raste, tenderët janë fituar nga bashkime operatorësh, ndërsa përfitimet finale dyshohet se kanë kaluar te subjekte të treta përmes kontratave dytësore.
Dosja përmend edhe procedura me vlera shumë të larta financiare për projekte kombëtare digjitale, përfshirë platforma elektronike shtetërore, pajisje teknologjike dhe sisteme të nënshkrimit elektronik, të cilat janë objekt verifikimi të detajuar nga organi i akuzës.
Në analizën e saj paraprake, gjykata vlerëson se prokuroria ka paraqitur rrethana faktike dhe prova të mjaftueshme për këtë fazë të hetimit, duke argumentuar se procedurat janë zhvilluar formalisht sipas ligjit, por me kritere dhe praktika që ngrejnë dyshime serioze për shkelje të barazisë në garë dhe keqpërdorim të fondeve publike.
Hetimet vijojnë, ndërsa dosja konsiderohet një nga më të rëndësishmet për sektorin e prokurimeve publike dhe digjitalizimit shtetëror.
