Një ngjarje tronditëse ka goditur botën e kinemasë dhe opinionin publik në SHBA. Regjisori i njohur i Hollywood-it dhe bashkëshortja e tij janë gjetur të vrarë në banesën e tyre luksoze në Los Angeles, ndërsa si autor i dyshuar i krimit është arrestuar djali i tyre, 32-vjeçari Nick.
Lajmi u konfirmua të dielën, më 14 dhjetor, kur trupat e çiftit u gjetën brenda rezidencës nga vajza e tyre, Romy. Autoritetet bënë me dije se Nick Reiner u vu në pranga pak orë më vonë dhe ndaj tij është ngritur akuza për vrasje të dyfishtë.
Mes dhimbjes dhe shokut, vajza e regjisorit, Tracy Reiner, ka reaguar publikisht, duke deklaruar se është e shkatërruar nga humbja e të atit dhe bashkëshortes së tij.
“Unë vij nga familja më e mirë që ka ekzistuar ndonjëherë. Nuk di çfarë të them… jam e shokuar”, u shpreh ajo për NBC News, duke shtuar se ende po përpiqet të përballojë tragjedinë.
Tracy Reiner është vajza e adoptuar e regjisorit nga martesa e tij me aktoren dhe regjisoren Penny Marshall. Edhe pse nuk kishin lidhje biologjike, ajo ka treguar se marrëdhënia mes tyre ka qenë gjithmonë shumë e afërt dhe e mbushur me dashuri.
Sipas revistës People, Tracy ishte takuar me të atin vetëm një ditë para vdekjes së tij, gjatë një takimi familjar. Po atë mbrëmje, regjisori dhe djali i tij Nick dyshohet se janë përfshirë në një debat gjatë një feste Krishtlindjesh të organizuar nga Conan O’Brien, përpara se çifti të largohej nga eventi.
Detajet rreth motiveve të krimit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet amerikane kanë nisur hetime të thelluara për të zbardhur rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë, e cila ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe industrinë e filmit.
Tragjedia ka lënë pas një familje të shkatërruar dhe një Hollywood në zi, ndërsa reagimet e dhimbshme vazhdojnë të vërshojnë nga miq, kolegë dhe figura të njohura të botës së artit.
