Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Giorgos Gerapetritis, ka deklaruar se Athina përshëndet progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se Greqia mbetet një nga mbështetëset kryesore të zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.
Në një konferencë të përbashkët për mediat në Athinë me homologen shqiptare Elisa Spiropali, Gerapetritis u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të ndërtohen mbi elementët që i bashkojnë dy popujt dhe mbi një vizion afatgjatë bashkëpunimi.
Ai theksoi se respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri është një përparësi kryesore për Greqinë, duke e cilësuar këtë komunitet si një urë lidhëse mes dy vendeve.
“Minoriteti grek është hallka e pandashme lidhëse mes dy popujve tanë, një urë komunikimi dhe mirëkuptimi. Po aq i rëndësishëm është edhe kontributi i emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët kanë treguar një shkallë të lartë integrimi në shoqërinë helene,” u shpreh Gerapetritis.
Ministri grek nënvizoi se Greqia dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar ngushtë në kuadër të NATO-s dhe organizmave rajonalë, ndërsa shtoi se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është një nevojë gjeopolitike.
“Greqia ka qenë dhe mbetet në pararojë të promovimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Ne do të vazhdojmë të jemi një forcë nxitëse në këtë drejtim, bazuar në performancën dhe reformat e realizuara nga vendet aspirante,” tha ai.
Gerapetritis përshëndeti hapjen e kapitujve negociues të anëtarësimit për Shqipërinë, duke theksuar se Greqia ka mbajtur një qëndrim konstruktiv gjatë këtij procesi.
Në takimin mes dy ministrave u diskutua gjithashtu zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në tregti, investime, ndërlidhje infrastrukturore dhe ekonomi, duke vlerësuar se ekzistojnë mundësi konkrete për thellimin e marrëdhënieve shumëplanëshe mes dy vendeve.
