Mashtrim fiskal me shitje fiktive 150 mln lekë, arrestohet një person në Tiranë

Data

Një person është arrestuar në Tiranë, i dyshuar për përfshirje në një skemë të gjerë mashtrimi fiskal që i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë bëri me dije se, me kërkesë të saj, u arrestua shtetasi Gj.F., ndaj të cilit rëndojnë akuzat për “krijim të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)” dhe “fshehje të të ardhurave”.

Sipas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, subjekti tregtar “Dorina Fela” ka kryer shitje të dyshuara fiktive në vlerën totale prej rreth 150 milionë lekësh.

Nga këto veprime, dyshohet se buxheti i shtetit është dëmtuar me mbi 62 milionë lekë. Skema mashtruese është realizuar përmes deklarimeve të rreme dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen artificiale të detyrimeve për Tatimin mbi Fitimin.

Sipas Prokurorisë, shtetasi i arrestuar ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari të paligjshme, duke përdorur subjektin tregtar të regjistruar në emër të bashkëshortes së tij për të kryer mashtrimin.

Hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në skemë dhe për dokumentimin e plotë të pasojave financiare të shkaktuara nga kjo veprimtari.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related