Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash për tubimin e paralajmëruar nga Partia Demokratike, i cili do të zhvillohet nesër në orën 17:00, përpara Kryeministrisë.
Sipas njoftimit zyrtar, përfaqësues të Partisë Demokratike kanë informuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e protestës, ndërsa autoritetet kanë marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në përputhje me ligjin “Për tubimet”.
Në kuadër të këtij plani, do të ketë kufizime të qarkullimit dhe ndalim parkimi në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Masat e marra për qarkullimin rrugor:
- Duke nisur nga ora 23:45 e ditës së sotme dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
- Nga ora 15:00 e ditës së nesërme dhe deri në përfundim të tubimit, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”.
- Po ashtu do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia bën me dije se, në varësi të ecurisë së protestës, mund të ketë kufizime të përkohshme edhe në akse të tjera rrugore. Për këtë arsye, qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative për të shmangur bllokimet.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e prekura dhe të tregojnë bashkëpunim. Gjithashtu, Policia e Tiranës apelon që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.
