Arlind Qori është aktivist i Lëvizjes BASHKË dhe prej dhjetorit të vitit 2022 është zgjedhur kryetar i saj. Përveç angazhimit shumëvjeçar si aktivist i kauzave punëtore, studentore e qytetare, ai është edhe pedagog i Departamentit të Shkencës Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Zoti Qori po tregon çdo ditë se kryefjalë ka vetëm interesin qytetarë dhe ndërkohë që për të mësuar më shumë rreth arsyeve që e nxitën t’i hynte politikës, por edhe projektit të tij dhe për të ndryshuar Shqipërinë,kontaktoi me të, i cili në një intervistë të mbushur me plotë detaje, ka zgjedhur të flasë “pa doreza”. I drejtpërdrejtë në atë që thotë, zoti Qori është kujdesur t’i thotë të gjitha, teksa fillimisht është ndalur tek vizita e kryeministrit Edi Rama në Greqi. Sipas tij, vizita e Edi Ramës në Athinë ishte një përpjekje për të instrumentalizuar ndjenjat legjitime patriotike dhe pakënaqësitë reale të të shqiptarëve të diasporës, sidomos në një vend si Greqia, për politikën e vogël ditore të Tiranës. Ndërkohë gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, zoti Qori zbuloi se pika më e fortë e Lëvizjes BASHKË është shembulli i aktivizmit të përkorë, të guximshëm e të pakompromis me të keqen. Nga ana tjetër, ai thekson se vizioni i Lëvizjes BASHKË është shndërrimi i Shqipërisë në një vend të jetueshëm, ku secili të ketë mundësi të jetojë mirë përmes punës së tij të ndershme, të investojë kursimet e veta pa pasur frikën e haraçmarrësve politikë. Po ashtu, zoti Qori shpreh bindjen se Shqipëria ka nevojë për një ristrukturim serioz të ekonomisë.
-Zoti Qori, si e patë vizitën e Edi Ramës në Athinë, a po përdor kryeministri diasporën për qëllime elektorale?
Pavarësisht mesazheve plot patos të Ramës, e vërteta e hidhur qëndron diku tjetër: arsyet që vazhdojnë t’i shtyjnë shqiptarët të largohen masivisht nga Shqipëria. Vendi ynë mbetet prej vendeve me normën më të lartë të emigrimit në botë dhe për këtë janë fajtore të gjitha partitë që e kanë qeverisur Shqipërinë. Meqenëse Edi Rama është qeveritari i 11 viteve të fundit, atëherë përgjegjësia e tij është edhe më e madhe. Nuk është edhe aq e vështirë të bësh patriotin me fjalë. Patriotizmi i vërtetë është të mos vjedhësh popullin tënd dhe të çosh përpara reforma zhvillimore për vendin. Këto të fundit Edi Rama nuk i bën dot. Ndaj mbetet të sillet si një valëvitës hipokrit flamujsh.
-Po akuzat se në takimin në Athinë çoi administratën në ekskursion, si i komentoni?
Nuk kam informacion për të gjykuar për vërtetësinë e këtyre akuzave. Gjithsesi fakti që këto akuza ngjisin në popull do të thotë shumë pasi tregon përbuzjen e shoqërisë për mënyrën se si partitë e vjetra i ndërtojnë marrëdhëniet me audiencat e tyre. Tanimë është krejt e zakontë që partitë e vjetra, sidomos partia në pushtet, të marrë zvarrë si gjysmë bujkrobër nëpunës të administratës ose si vasalë patronazhistët për të mbushur sallat elektorale. Madje po të shohësh pjesëmarrësit në takimet e partive të vjetra, shumica dërrmuese e tregojnë parehatinë me qëndrimin e tyre indiferent ose duke parë gjithë kohës celularin. Kjo nënkupton se edhe sikur Edi Rama të mos ketë marrë një armatë me mbështetës me vete në Athinë, askush nuk e beson më.
-Si e shihni rezolutën antikorrupsion të Edi Ramës? Disa zëra thonë se është kundër SPAK…
Shqipëria e sotme politike është një teatër i madh ironik, ku sa më të zhytur të jenë në korrupsion aktorët politikë, aq më shumë bëjnë si luftëtarë të paepur kundër korrupsionit. Në këtë kuptim, PS dhe Edi Rama përfaqësojnë sot subjektin më të korruptuar të historisë së shtetit shqiptar. Prapëseprapë kanë guximin – të përftuar nga nyjëtimi midis cinizmit, hipokrizisë dhe mendjelehtësisë – për të miratuar edhe rezolute antikorrupsion. Nëse zoti Rama e ka seriozisht luftën ndaj korrupsionit, duhet të japë dorëheqjen, të dorëzojë telefonin personal në prokurori dhe të bëhet gati për një “konvaleshencë” të gjatë në mjediset e riedukimit.
-Ndërkohë le të ndalemi pak te disa pyetje për t’iu njohur më mirë. Cilat janë arsyet pse vendosët të hysh në politikë dhe cili është qëllimi juaj kryesor si politikan?
Unë nuk jam politikan profesionist për arsyen e thjeshtë se nuk i siguroj të ardhurat prej politikës. Vazhdoj çdo ditë të bëj punën dhe të marr rrogën si pedagog në Universitetin e Tiranës, kurse me politikë, si aktivist dhe kryetar i Lëvizjes BASHKË, merrem gjatë orëve pas shlyerjes së detyrimeve profesionale. Kjo më ndihmon të jem brenda logjikës së çdo qytetari të thjeshtë që e siguron jetën prej punës së vet, dhe jo prej privilegjeve të politikës profesioniste. Kujtoj më këtë rast skandalin e dyfishimit të rrogës së deputetëve, ministrave, kryeministrit dhe presidentit që Kuvendi i Shqipërisë miratoi një vit më parë. Nga ana tjetër, unë zgjedhjen time për t’u marrë si aktivist me politikë e kam bërë shumë vite më parë, më 2011, kur bashkë me të tjerë themeluam Organizatën Politike, e cila në dhjetor të vitit 2022 i la vendin Lëvizjes BASHKË si parti e mirëfilltë politike. Arsyeja kryesore pse vendosa të merrem aktivisht me politikë ishte se po më bëhej gjithnjë e më e papërballueshme barra e kontradiktës midis ideve të drejtësisë dhe demokracisë që ligjëroja përpara studentëve dhe jetës prej qytetari të paangazhuar që bëja deri më 2011. Erdhi një moment që kjo kontradiktë kërkonte një zgjidhje dhe unë vendosa të jem publikisht dhe aktivisht, më fjalë e me vepra, në krah të njerëzve që pësojnë padrejtësi: punëtorëve, pensionistëve, të rinjve, profesionistëve të klasës së mesme, dyqanxhinjve, bujqve dhe kujto tjetër të cilit i nëpërkëmben të drejtat.
-Si mendoni se politika juaj do të ndryshojë për të mirën e qytetarëve dhe për të përmirësuar shoqërinë?
Unë mendoj se pika më e fortë e Lëvizjes BASHKË është shembulli i aktivizmit të përkorë, të guximshëm e të pakompromis me të keqen. Për gjithnjë e më shumë qytetarë ne po bëhemi adresa ku drejtohet nevoja për ndryshim. Po ashtu kemi idetë dhe programin e duhur për t’i dhënë Shqipërisë një model të ri dhe të qëndrueshëm zhvillimi, që kërkon të ngrejë bazën ekonomike dhe industriale të vendit, të rrisë produktivitetin e punës, pagat dhe pensionet e shumëkujt, si dhe të demokratizojë institucionet publike. Kjo pikëprerje midis vullnetit të mirë (ndershmërisë) dhe ideve të duhura (programit) është leva më e fortë lëvizëse e transformimeve që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe do të vendosin drejtësi shoqërore.
-Mendoni se eksperiencat tuaja të mëparshme dhe arsimimi juaj ju kanë përgatitur për rolin e kryeministrit?
Unë jam pedagog i shkencës politike. Gjëja e parë që u them studentëve në fillim të vitit akademik është se dega në të cilën do të studiojnë nuk do t’i përgatisë për politikanë, por për studiues të politikës. Gjithsesi njohja e politikës si studiues, e raportit të saj me sferat ekonomike e kulturore të një shoqërie, më ndihmon të kuptoj sistemin partiak në Shqipëri, raportet e tij me oligarkinë ekonomike, mënyrën si gatuhet konsensusi i rrejshëm ideologjik dhe fazat historike të zhvillimit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, 13 vitet e gërshetimit të teorisë me praktikën politike si aktivist më kanë dhënë mundësinë të orientohem më mirë politikisht dhe maturinë për të gabuar gjithnjë e më pak në qasje. Mirëpo sa më lart nuk është e mjaftueshme për të thënë se dikush është i përgatitur tërësisht për të marrë rolin e kryeministrit. Për një përgjegjësi kaq të madhe nuk ka shkollë dhe parapërgatitje të mjaftueshme. Duhet guxim, ide të qarta, një strukturë e fortë dhe demokratike partiake që të mbështet dhe, ç’është më e rëndësishmja, të të kuptojë dhe mbështesë populli. Koha do ta tregojë se cili do të jetë rrugëtimi im. Çka nuk ka nevojë për kohën dhe nuk ka asnjë dyshim, është se unë gjithë jetën time do të jem i angazhuar politikisht për të mirën e shoqërisë.
-Çfarë masa do të ndërmerrni për të adresuar sfidat kryesore sociale dhe ekonomike të vendit?
Shqipëria ka nevojë për një ristrukturim serioz të ekonomisë. Deri më tash ekonomia shqiptare mbahet mbi shpatullat e brishta dhe afatshkurtra të industrisë së lehtë (fasoneri), turizmit dhe remitancave, nga njëra anë, dhe spekulimit në sektorin e ndërtimit dhe pastrimit të parave nga ana tjetër. Bujqësia, sektorët më produktivë të industrisë, investimet në punën konjitive, etj, janë të prapambetur ose inekzistentë. Kjo bën që në Shqipëri të mbizotërojë një klikë ekonomike parazitare (oligarkët), e lidhur me fije korruptive me kastën drejtuese politike. Në vizionin e Lëvizjes BASHKË, Shqipërisë i duhet një shtet zhvillimor, që mbështet dhe riorienton investimet produktive të kapitalit, rrit vlerën e shtuar në ekonomi dhe produktivitetin e punës, hap sektorë të rinj që kërkojnë punë të kualifikuar, mbështet kapitalin njerëzor dhe të drejtat në punë, si dhe rithemelon për së mbari shtyllat e shtetit social (shëndetësia, arsimi, politikat e strehimit, pensionet e dinjitetshme, minimumin jetik etj.). Që shteti shqiptar të kryejë funksione zhvillimore, duhet që të luftohet me ashpërsi korrupsioni dhe të demokratizohen institucionet publike. Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa demokraci dhe nuk mund të ketë demokraci pa zhvillim të qëndrueshëm.
-Si do të përpiqeni për të inkurajuar pjesëmarrjen e rinisë në politikë dhe për të dëshmuar besueshmërinë tuaj tek ata që ju zgjedhin?
Përmes shembullit tonë. Ne jemi parti aktivistësh, shumica prej të cilëve janë të rinj, studentë, të sapodiplomuar ose punonjës të rinj. Secili prej nesh është bartës në jetën e përditshme të problemeve të mëdha që përjeton rinia shqiptare, në shkollë, në punë e në familje. Po njëkohësisht ne jemi të rinjtë që ngrenë krye kundër padrejtësive dhe kësisoj për shumë të rinj të tjerë bëhemi një pol tërheqës e frymëzues, siç ka ndodhur rëndom në historinë tonë si aktivistë: protestat e shumta të studentëve në vitet 2014-2018, organizimet sindikaliste në sektorin e call center-it, etj.
-Cilat janë vizionet tuaja për të ardhmen e vendit?
Vizioni ynë është shndërrimi i Shqipërisë në një vend të jetueshëm, ku secili të ketë mundësi të jetojë mirë përmes punës së tij të ndershme, të investojë kursimet e veta pa pasur frikën e haraçmarrësve politikë, të ketë përballë institucione që i përgjigjen nevojave shoqërore dhe të marrë pjesë si i lirë dhe i barabartë në jetën politike e shoqërore. Ne kemi mundësinë të bëjmë realitet aspiratën e ndërtimit të një shoqërie ku liria ime nuk është e kundërta e lirisë tënde, por kushti i realizimit të plotë të saj; ku lumturia ime ka për kusht lumturinë tënde; ku përparimi im të ngre edhe ty; ku mbizotërojnë respekti reciprok dhe solidariteti.
-Cilat janë planet tuaja për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe për të krijuar vende pune në vend?
Nxitje e investimeve produktive, riorientim i kapitalit drejt sektorëve ku shtohet vlera në vend se të përvetësohet vlera e krijuar më parë, luftë ndaj monopoleve, shkulje me themel e korrupsionit, ndërtim i institucioneve transparente e llogaridhënëse, respektim i të drejtave në punë, rritje e pagave dhe pensioneve drejt nivelit të jetesës së dinjitetshme, shtim i investimeve publike në shëndetësi e arsim etj. Këto janë shtyllat mbi të cilat ne po punojmë për programin tonë qeverisës, për të cilin do të kërkojmë votat e qytetarëve shqiptarë më 2025. Ju siguroj paraprakisht se programi i Lëvizjes BASHKË, përgatitja e të cilit ka filluar prej pesë muajsh, do të jetë më kompleksi dhe më i miri program që i është paraqitur popullit shqiptar në dekadat e fundit.
-Si do të përmirësoni transparencën dhe llogaridhënien në qeverisjen tuaj dhe si do të luftoni korrupsionin?
E para, përmes shembullit. Kur kryeministri dhe figurat më të rëndësishme politike të një shteti nuk vjedhin, kjo jep sinjale të fuqishme në të gjitha hallkat administrative të shtetit që askush të mos guxojë të mendojë të përvetësojë fondet publike. E dyta, përmes ndryshimeve ligjore që rëndojnë dënimet për aktet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë e të mesëm të shtetit. E treta, përmes mosndërhyrjes në punët e drejtësisë dhe sigurimit të të gjithë hapësirës kësaj të fundit për ta hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin në çdo nivel. Së katërti, përmes nxitjes së pjesëmarrjes shoqërore në punët e shtetit dhe mbikëqyrjes së trupave qytetare ndaj vendimeve të instancave shtetërore. Demokratizimi i shtetit dhe lufta kundër korrupsionit shkojnë krah për krahu.
