Një tragjedi e rëndë humanitare ka tronditur Mesdheun Qendror, ku 116 emigrantë kanë humbur jetën pas mbytjes së një anijeje që ishte nisur drejt Evropës. Lajmi u bë i ditur nga organizata humanitare Sea-Watch, e cila konfirmoi se vetëm një person ka arritur të mbijetojë, i shpëtuar rastësisht nga një peshkatar tunizian.
Sipas informacioneve paraprake, anija ishte nisur të enjten e kaluar. Kontaktet u humbën pak orë pas largimit, ndërsa kërkimet për lokalizimin e saj nisën të hënën, kur Sea-Watch aktivizoi avionin e vëzhgimit Seabird. Fatkeqësisht, shpresat u shuan shpejt.
“Sot u konfirmua anijembytja, e ndodhur menjëherë pas nisjes,” bëri të ditur Sea-Watch, duke theksuar se rrugët detare të migrimit mbeten jashtëzakonisht të rrezikshme, sidomos në mungesë të misioneve të mjaftueshme të kërkim-shpëtimit.
Mesdheu Qendror vazhdon të jetë një nga itineraret më vdekjeprurëse në botë për emigrantët dhe refugjatët, ku mijëra njerëz rrezikojnë jetën çdo vit në përpjekje për të gjetur siguri dhe një të ardhme më të mirë. Organizatat humanitare i bëjnë sërish thirrje autoriteteve europiane për masa urgjente shpëtimi, bashkëpunim ndërkombëtar dhe mbrojtje reale të jetës njerëzore në det.
