“Shqiptarët duhet të shpëtojnë nga kjo e keqe” – Bozdo: Rama dikur heshtte për drejtësinë, sot mbron Ballukun! Kush do t’i paguajë miliardat e Ekoparkut dhe Portit të Durrësit?

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, deklaroi se dy dosjet e mëdha – ajo e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ajo e AKSHI-t – janë të mjaftueshme që drejtësia të shkojë deri te kryeministri Edi Rama, si përgjegjësi kryesor politik për këto afera.

Në një intervistë për “News 24”, Bozdo u shpreh se ka ardhur momenti që shqiptarët të çlirohen një herë e përgjithmonë nga kjo qeverisje, duke theksuar se skandalet nuk mbarojnë me këto dy dosje. Sipas tij, Ekoparku dhe Porti i Durrësit janë dy çështje të tjera madhore që do t’u kushtojnë qytetarëve shqiptarë miliarda euro.

“Rama thoshte se nuk e komentonte drejtësinë, ndërsa tani del hapur dhe mbron Ballukun. Për herë të parë po shohim fytyrën e vërtetë të kësaj mazhorance. Nga mbështetëse të drejtësisë, janë kthyer kundër saj”, tha Bozdo.

Ai theksoi se opozita ka bërë dhjetëra denoncime, por shumë prej tyre ende nuk janë hetuar. Sipas tij, prokuroria duhet të marrë në shqyrtim edhe aferat e tjera të denoncuara publikisht.

“Kam denoncuar Ekoparkun dhe jam një nga denoncuesit kryesorë të Portit të Durrësit. Sa do t’u kushtojë ky port shqiptarëve? Rreth 2 miliardë euro. Kush i paguan këto para? Shqiptarët. Dhe ku shkojnë? Te investitorë privatë”, u shpreh deputeti demokrat.

Duke folur për zhvillimet e fundit në drejtësi, Bozdo i cilësoi pozitive lëvizjet e SPAK në çështjet Balluku dhe AKSHI, por theksoi se në të kaluarën janë bërë edhe gabime të rënda.

“Ka zhvillime pozitive dhe nuk i mohoj, por drejtësia ka pasur edhe dështime. A ishte e drejtë mbajtja në arrest shtëpie e zotit Berisha për një vit? Problemi kryesor në Shqipëri ka një emër: Edi Rama. SPAK duhet të shkojë deri në fund dhe ta vendosë edhe atë para përgjegjësisë. Mjaftojnë këto dy dosje për ta hetuar”, tha Bozdo.

Ai e lidhi situatën politike me gjendjen e rëndë sociale dhe ekonomike në vend, duke theksuar shpopullimin masiv dhe krizën në bujqësi e sektorë të tjerë jetikë.

“Sot jemi në një alarm të vërtetë kombëtar. Një e treta e popullsisë është larguar nga vendi. Kjo shoqëri duhet të ndahet përfundimisht nga kjo e keqe”, deklaroi ai.

Në fund, Bozdo bëri thirrje për bashkim të gjerë opozitar dhe revoltë qytetare, duke theksuar se vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme mund të arrihet ndryshimi.

“Çdo forcë opozitare, edhe ajo që ka pak vota, është pjesë e zgjidhjes. Nuk kërcehet tango vetëm. Ne synojmë rrëzimin e kësaj qeverie dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pa revoltë qytetare dhe pa bashkim, kjo nuk arrihet”, përfundoi deputeti i PD-së.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related