Pas vendimit të Prokurorisë së Fierit për t’i kaluar SPAK-ut dosjen e “Bankers Petroleum”, e cila ka zbuluar shkelje të rënda dhe dëme që arrijnë në miliarda euro, opinioni publik pret që drejtësia të zbatojë të njëjtin standard edhe me aferën e kompanisë Kurum International me mbetjet toksike të bllokuara në Porto Romano. Hetimet për këtë rast kanë mbetur pezull për muaj të tërë, duke ngjallur dyshime për ndërhyrje politike dhe mungesë të vullnetit institucional për të prekur një prej kompanive më të privilegjuara ndër vite nga politika shqiptare. Prokuroria e Durrësit, që prej muajit tetor të vitit 2024, ka pasur në duar dosjen për 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara të rrezikshme, të nisura nga porti i Durrësit drejt Tajlandës nga kompania “Sokolaj” shpk e Gjovana Sokolaj, pa marrë asnjë autorizim nga vendi pritës.
Ngarkesa u kthye mbrapsht në Shqipëri, pasi autoritetet e Singaporit dhe Tajlandës zbuluan shkelje të rënda të Konventës së Bazelit, që ndalon transportin ndërkufitar të mbetjeve toksike pa miratim. Sot, mbetjet ndodhen në Porto Romano, ndërkohë që institucionet shqiptare nuk kanë kryer asnjë analizë për përmbajtjen e tyre. Sipas burimeve nga hetimi, pas 8 muajsh vonesash, është dashur ndërhyrja e organizatave ndërkombëtare që të identifikohej një laborator i huaj për kryerjen e analizave, pasi asnjë laborator brenda vendit nuk mori përsipër këtë proces. Prokuroria e Durrësit ka qëndruar praktikisht e paralizuar gjithë këtë kohë. Dosja ka mbetur në sirtar, pa asnjë veprim konkret, duke i lënë kohë të mjaftueshme palëve të përfshira që të fshijnë gjurmët e veprës penale. Në këtë klimë pasiviteti, media shqiptare ka heshtur pothuajse plotësisht, për shkak të ndikimit financiar që dyshohet se ka marrë nga kompanitë e mbetjeve.
