Një incident serioz ka shkaktuar alarm dhe panik, pasi autoritetet kanadeze ndaluan nisjen e një fluturimi të kompanisë ajrore Air India, pasi një nga pilotët u konstatua nën efektin e alkoolit.
Ngjarja ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit, ku piloti u nxor nga avioni pak çaste para nisjes nga pista. Dy testet e kryera nga policia kanadeze konfirmuan se ai ishte i papërshtatshëm për të ushtruar detyrën, duke e konsideruar rastin si një shkelje të rëndë të sigurisë ajrore.
Autoritetet e Kanadasë e cilësuan incidentin si një “çështje serioze” dhe paralajmëruan se mund të ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj kompanisë ajrore indiane.
Në një reagim zyrtar, Air India konfirmoi se fluturimi nga Vankuveri drejt Delhit, më 23 dhjetor, u vonua në minutën e fundit për shkak të incidentit dhe se një pilot alternativ u angazhua për të kryer fluturimin.
“Autoritetet kanadeze ngritën shqetësime lidhur me aftësinë e pilotit për të vijuar detyrën. Piloti është larguar nga shërbimi gjatë hetimit. Air India zbaton një politikë tolerance zero ndaj çdo shkeljeje të rregullave dhe standardeve të sigurisë,” thuhet në deklaratën e kompanisë.
Hetimet për incidentin vijojnë, ndërsa rasti ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e fluturimeve dhe zbatimin e protokolleve ndërkombëtare në aviacion.
