Bardhi: Parlamenti Europian rrëzoi pretendimet e Ramës për Zvërnecin, kërkon shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kreun e grupit socialist Taulant Balla se kanë keqinterpretuar përmbajtjen e saj në lidhje me çështjen e Zvërnecit dhe zonave të mbrojtura.

Përmes një reagimi publik, Bardhi iu referua deklaratave të eurodeputetes italiane Cristina Guarda, e cila komentoi rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian dhe shqetësimet që lidhen me zhvillimet në zonën e Vjosë-Nartës.

Sipas Bardhit, qëndrimi i eurodeputetes tregon se institucionet europiane kanë ngritur shqetësime konkrete për mbrojtjen e mjedisit dhe transparencën në lidhje me projektet e zhvillimit në zonat e mbrojtura.

“Integrimi europian i Shqipërisë nuk ka nevojë për gënjeshtra, por për përmbushje të kushteve dhe adresim të shqetësimeve të Parlamentit Europian. Le ta nisim me shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe me transparencën për çështjen e Zvërnecit”, u shpreh Bardhi.

Nga ana e saj, Cristina Guarda deklaroi se amendamenti që lidhet me zonën e Vjosë-Nartës është miratuar me shumicë votash në Parlamentin Europian dhe kërkon një moratorium për autorizimet e reja, projektet dhe ndërtimet në zonat e mbrojtura derisa të garantohet mbrojtja e tyre.

Eurodeputetja theksoi se Shqipëria ka bërë progres në procesin e afrimit me Bashkimin Europian, por sipas saj mbeten sfida të rëndësishme në fusha si liria e medias, lufta kundër korrupsionit, pavarësia e drejtësisë, të drejtat e minoriteteve dhe mbrojtja e mjedisit.

Guarda vlerësoi gjithashtu protestat qytetare si një shprehje të angazhimit demokratik të qytetarëve për çështje që lidhen me interesin publik dhe mbrojtjen e territorit.

Debati për projektet e zhvillimit në zonën e Zvërnecit dhe Nartës ka marrë vëmendje të shtuar politike dhe publike gjatë javëve të fundit, ndërsa qeveria dhe opozita vijojnë të mbajnë qëndrime të kundërta mbi ndikimin e tyre në mjedis dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related