Malta sekuestron ngarkesë me produkte ushqimore të ardhura nga Shqipëria, autoritetet urdhërojnë asgjësimin

Data

Autoritetet për Sigurinë Ushqimore në Maltë kanë sekuestruar një ngarkesë me produkte ushqimore të transportuara nga Shqipëria, pasi gjatë kontrollit u konstatuan shkelje të rregullave të sigurisë ushqimore dhe të gjurmueshmërisë së produkteve.

Sipas Autoritetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen Ushqimore të Maltës (FSSA), ngarkesa mbërriti në ishull me një furgon përmes tragetit nga Siçilia, pasi kishte udhëtuar nga Shqipëria.

Gjatë inspektimit, autoritetet evidentuan probleme në një gamë produktesh, mes tyre mish, kos, djathë, vezë, vaj ulliri, ushqime të paketuara, pije freskuese, fasule, pije alkoolike, kripë dhe lëngje.

FSSA bëri të ditur se një pjesë e produkteve ishin transportuar në temperatura që nuk përmbushnin standardet e kërkuara, ndërsa të tjera nuk dispononin etiketimin dhe dokumentacionin e nevojshëm për garantimin e origjinës dhe gjurmueshmërisë.

Për shkak të këtyre shkeljeve, autoritetet vendosën sekuestrimin dhe vulosjen e të gjithë ngarkesës, e cila do të asgjësohet për të mbrojtur shëndetin publik dhe sigurinë e tregut ushqimor.

FSSA theksoi gjithashtu se nuk kishte marrë njoftimin e detyrueshëm për mbërritjen e ngarkesës. Sipas legjislacionit maltez, importuesit duhet të informojnë autoritetet të paktën 48 orë përpara hyrjes në territor të produkteve ushqimore, kafshëve, ushqimit për kafshë apo materialeve bimore.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publik sasinë totale të produkteve të sekuestruara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related