Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme ka reaguar pas sulmeve të SHBA-së në Venezuelë dhe arrestimit të presidentit Nicolás Maduro, duke deklaruar se Bashkimi Evropian po e ndjek nga afër situatën.
Ajo bëri me dije se ka zhvilluar biseda me Sekretarin amerikan të Shtetit, si dhe me ambasadorin e BE-së në Karakas, duke theksuar se siguria e qytetarëve evropianë në Venezuelë është prioritet kryesor.
Në reagimin e saj, ajo rikujtoi se Bashkimi Evropian ka deklaruar vazhdimisht se Nicolás Maduro nuk gëzon legjitimitet si president.
“Në çdo rrethanë, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e Kombeve të Bashkuara duhet të respektohen. Bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Reagim ka pasur edhe nga Presidenti i Këshillit Evropian, i cili shprehu shqetësim për zhvillimet në Venezuelë dhe bëri thirrje për përmbajtje dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian mbështet një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të situatës në Venezuelë dhe do të vijojë përpjekjet, në koordinim me shtetet anëtare, për të garantuar sigurinë e qytetarëve evropianë që ndodhen në vend.
