Landfilli i Bushatit është një nga investimet më të mëdha të qeverisë në Bashkinë e Vaut të Dejës, që i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë plot 4.16 milion euro.
Për menaxhimin e tij, ish-Këshilli i Komunës Bushat krijoi ndërmarrjen “Ndërkomunale Bushat” sh.a. e cila ngarkohej me mbledhjen, sistemimin dhe riciklimin e mbetjeve urbane të qarkut Shkodër dhe pjesërisht të atij të Lezhës. Por, në qershor të vitit 2010 Këshilli Bashkiak i Komunës Bushat, me propozim të kryetarit të komunës dhe administratorit të ndërmarrjes “Ndërkomunale Bushat”vendos që këtë punë t’ja ngarkojë kompanisë private Becker Albania, duke lidhur me të kontratë shfrytëzimi të landfillit për një afat 10 vjeçar.
10 vjet më pas, në tetor të 2020-ës, Këshilli Bashkiak autorizon sërish kryetarin e Bashkisë të Vaut të Dejës, që të rishikojë kontratën me kompaninë private.
Së pari, Vendimi i Këshillit Bashkiak, i delegon përgjegjësinë ndërmarrjes “Ndërkomunale Bushat” për të realizuar investimin për zgjerimin e landfillit të Bushtatit dhe përshtatjen e ambientit brenda tij, me një sipërfaqe shtesë 23 hektarë për trajtimin e mbetjeve inerte. Vetë shoqëria dhe bashkitë e tjera në qarkun e Shkodrës e Lezhës do të paguajnë për trajtimin e mbejtjeve bashkë me operatorët privatë dhe në këmbim, firma “Ndërkomunale Bushat” do të marrë 20% të vlerës së tarifave.
