BIRN: Kuvendi zvarrit prej 2 muajsh procedurat për kërkesën e SPAK, qeveria e quan “europianizim”

Data

Prej më shumë se dy muajsh, Kuvendi i Shqipërisë po zvarrit pa afat shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Kërkesa lidhet me hetimet ndaj saj për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, në disa procedura me vlerë qindra milionë euro, për të cilat Balluku është marrë e pandehur.

Ndërsa opozita e konsideron këtë vonesë si mbrojtje politike, qeveria e cilëson sjelljen e Kuvendit si shenjë “europianizimi”. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, deklaroi se pritja e vendimit të gjykatave përpara se Kuvendi të shprehet është respektim i ndarjes së pushteteve dhe konsolidim i reformës në drejtësi.

Sipas Gogut, Kuvendi po pret zgjidhjen e konfliktit gjyqësor mes Kryeministrit dhe Gjykatës së Posaçme, duke iu referuar çështjes që pritet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar, për masën e vendosur ndaj Ballukut. Ai theksoi se institucionet duhet të respektojnë afatet dhe pavarësinë e njëri-tjetrit dhe se kjo qasje, sipas tij, i shton siguri sistemit të drejtësisë.

SPAK i ka dorëzuar Kuvendit një dosje voluminoze hetimore dhe kërkesën për autorizimin e një mase të re ndalimi ndaj Ballukut, por shqyrtimi mbeti pezull pas një mbledhjeje të ndërprerë të Këshillit për Mandatet. Kryetari i Kuvendit refuzoi kërkesat e opozitës për të vijuar mbledhjen, duke e shtyrë procesin.

Balluku u mor e pandehur fillimisht për çështjen e Tunelit të Llogarasë, ndërsa më pas ndaj saj u shtuan akuza të tjera për procedura tenderimi dhe për Unazën e Madhe të Tiranës. Gjykata e Posaçme vendosi ndaj saj masën e ndalimit të daljes jashtë vendit dhe pezullimin nga detyrat ekzekutive, masë që u ankimua nga Kryeministri në Gjykatën Kushtetuese si ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv.

Mbledhja e radhës e Këshillit për Mandatet është parashikuar të mbahet më 28 janar, ndërsa deri atëherë kërkesa e SPAK mbetet ende pa një vendim nga Kuvendi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related