Lufta Izrael-Iran “ngrin” rezervimet e pushimeve, shqiptarët hezitojnë për Turqinë

Data

Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit po reflektohet edhe në tregun shqiptar të turizmit, duke ndikuar në ritmin e rezervimeve për sezonin veror.

Operatorët turistikë raportojnë se rezervimet e reja për Turqinë janë ngrirë, ndërsa interesimi i klientëve është fokusuar më shumë te siguria dhe mundësia e rimbursimit në rast anulimi.

Agjencitë turistike bëjnë me dije se deri në fund të marsit ofertat “early booking” për pushimet verore kanë qenë aktive, por ditët e fundit ritmi i prenotimeve ka rënë ndjeshëm. Paketat turistike vazhdojnë të jenë në shitje dhe çmimet promocionale nuk janë tërhequr, por klientët hezitojnë të konfirmojnë.

“Nuk kemi valë anulimesh, por nuk kemi as rezervime të reja”, shprehen operatorët e agjencisë Ilirida Travel and Tours.

Ndërkohë, familjet që kanë bërë rezervime më herët po kontaktojnë agjencitë për të marrë informacione nëse situata e sigurisë mund të ndikojë Turqinë dhe nëse do të kenë mundësi rimbursimi në rast përshkallëzimi të konfliktit.

Sipas agjencive Zenith Travel dhe Hima Travel, pyetja më e shpeshtë e klientëve tashmë nuk lidhet më me hotelin apo shërbimin, por me garancinë e kthimit të parave në rast anulimi për arsye sigurie.

Turqia ka qenë prej vitesh një nga destinacionet kryesore të pushimeve për shqiptarët, me qytete si Antalia, Bodrumi dhe Belek që ofrojnë paketa “all inclusive” dhe fluturime direkte nga Tirana.

Ekspertët e turizmit theksojnë se perceptimi i rrezikut ndikon menjëherë në vendimmarrjen e turistëve, edhe kur destinacioni nuk është drejtpërdrejt zonë konflikti.

Nëse tensionet zgjasin, agjencitë turistike parashikojnë që kërkesa mund të zhvendoset drejt destinacioneve të konsideruara më të sigurta si Italia, Greqia apo Spanja.

Ndërkohë, pasiguria mund të ndikojë edhe destinacione të tjera të preferuara nga shqiptarët në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, si Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Jordania, ku vendimet për prenotime të reja mund të shtyhen deri në stabilizimin e situatës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related