Deputetja e Partisë Demokratike dhe drejtuesja politike për qarkun e Vlorës, Ina Zhupa, ka reaguar pas mbledhjes së Komisionit të Reformës Territoriale, duke akuzuar kryetarin e Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, për mungesë transparence dhe llogaridhënieje ndaj qytetarëve.
Sipas Zhupës, largimi i Çaçit nga mbledhja pa iu përgjigjur pyetjeve të ngritura prej saj përbën një tregues të qartë të dështimit të administrimit të bashkisë dhe pamundësisë për të justifikuar mënyrën se si janë përdorur fondet publike.
“Kur një kryetar bashkie largohet nga komisioni në momentin që përballet me pyetje konkrete dhe refuzon të japë përgjigje, kjo është dëshmi e mungesës së transparencës dhe përgjegjësisë”, deklaroi deputetja demokrate.
Zhupa ngriti një sërë shqetësimesh që, sipas saj, mbeten pa përgjigje nga drejtuesit vendorë. Ajo përmendi problemet me furnizimin me ujë të pijshëm në Sarandë, pavarësisht buxheteve në rritje, duke kërkuar sqarime se ku janë investuar fondet publike dhe cilat kanë qenë prioritetet e bashkisë.
Një tjetër çështje e ngritur prej saj ishte kundërshtimi i krijimit të Bashkisë Ksamil. Deputetja kritikoi përdorimin e statistikave të vjetra për të argumentuar këtë qëndrim dhe kërkoi transparencë mbi të ardhurat që Bashkia Sarandë përfiton nga aktiviteti ekonomik dhe turistik i Ksamilit.
Në reagimin e saj, Zhupa evidentoi gjithashtu problematikat në sistemin arsimor, duke theksuar se nxënësit vijojnë të zhvillojnë mësimin me turne, ndërsa infrastruktura shkollore mbetet e amortizuar dhe me mungesa në pajisje bazë.
Ajo ngriti shqetësime edhe për mungesën e investimeve në infrastrukturën sportive dhe kulturore, duke theksuar se një qytet turistik si Saranda nuk disponon pallat sporti, teatër apo kinema moderne për banorët dhe vizitorët.
Sipas deputetes demokrate, problematik mbetet edhe menaxhimi i parkimeve dhe rritja e numrit të punonjësve në administratën e bashkisë, që sipas saj nuk është shoqëruar me përmirësim të shërbimeve për qytetarët.
“Zero përgjigje do të thotë zero transparencë dhe zero përgjegjësi. Dështimet nuk mund të fshihen pas propagandës, sepse ato reflektohen çdo ditë në jetën e qytetarëve të Sarandës”, përfundoi reagimin e saj Ina Zhupa.
