Luçiano Boçi thirrje për protestën e opozitës: “Sot protestohet që nesër të mos jetë vonë”

Data

Nënkryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Luçiano Boçi, ka reaguar në prag të protestës së opozitës, duke e cilësuar këtë të premte si “një ditë ndërgjegjësimi kombëtar”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Boçi deklaroi se protesta nuk organizohet vetëm për interesa politike, por për situatën që, sipas tij, po kalon vendi.

“Sot nuk është thjesht një ditë proteste. Është një ditë ndërgjegjësimi kombëtar”, shkroi ai.

Sipas Boçit, qytetarët po dalin në protestë për të reaguar ndaj varfërisë, korrupsionit dhe largimit të të rinjve nga vendi.

“Protestohet sepse shpopullimi nuk është statistikë, por drama e çdo familjeje që përcjell fëmijët në aeroport pa kthim. Protestohet sepse korrupsioni nuk është thashethem, por një plagë që po gërryen shtetin, ekonominë dhe shpresën”, u shpreh ai.

Deputeti demokrat shtoi se protesta synon t’i kujtojë qeverisë se pushteti nuk është pronë personale, por përgjegjësi ndaj qytetarëve.

“Sot qytetarët dalin në bulevard për t’i kujtuar qeverisë se pushteti nuk është pronë, por përgjegjësi”, deklaroi Luçiano Boçi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën që do të mbahet para Kryeministrisë në Tiranë, duke theksuar se protesta është një mesazh për institucionet dhe partnerët europianë.

“Sot protestohet që nesër të mos jetë vonë”, përfundoi Boçi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related