Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliaj për transmetimin live të seancës gjyqësore ndaj Ols Dado.
Kërkesa u paraqit nga avokati Plarent Ndreca, i cili argumentoi se procesi duhet të zhvillohej publikisht dhe me transparencë të plotë.
Sipas Ndrecës, parimi kushtetues i publicitetit të seancave gjyqësore nuk duhet të kufizohet, përveç rasteve kur rrezikohet integriteti i procesit apo i personave të përfshirë.
“Nuk jemi në kushtet për të vënë në vlerësim këtë fakt. Parimi kushtetues i publicitetit të seancës është parim që nuk mund të ndalohet vetëm kur cenohet integriteti i një personi, i sallës apo i zhvillimit të procesit gjyqësor”, deklaroi ai gjatë seancës.
Megjithatë, gjyqtari Hazbi Balliu vendosi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e kamerave televizive.
Sipas vendimit të trupës gjykuese, në sallë do të lejohen vetëm gazetarët.
Çështja lidhet me padinë e depozituar nga Veliaj, i cili kërkon shpalljen e pavlefshme të emërimit të Ols Dados si prokuror në vitin 2008.
