Tensione të forta janë regjistruar mbrëmjen e sotme para Kuvendit të Shqipërisë, ku deputetë të Partisë Demokratike dhe protestues janë përplasur me forcat e policisë që kishin rrethuar godinën.
Deputetët e PD-së, me Luçiano Boçin në rreshtin e parë, së bashku me qytetarët pas tyre, tentuan të çajnë kordonin e policisë dhe të hyjnë brenda Kuvendit. Gjatë përpjekjes janë regjistruar përplasje fizike mes deputetëve dhe efektivëve të rendit.
Për të shpërndarë turmën dhe për të neutralizuar situatën, policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës, duke krijuar kaos dhe panik në zonë. Protestuesit u detyruan të tërhiqen, ndërsa disa prej tyre shfaqën vështirësi në frymëmarrje.
Në një prononcim për mediat, deputeti Flamur Noka deklaroi se “Edi Rama nuk mund të mbrohet nga revolta popullore”, duke shtuar se opozita ndodhet në betejë dhe duke u bërë thirrje forcave të policisë që të mos prekin qytetarët.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa policia vijon të mbajë të rrethuar godinën e Kuvendit.
