Nënkryetari i Partia Demokratike, Luçiano Boçi, ka bërë deklarata të forta lidhur me përplasjet e regjistruara gjatë protestës së fundit të opozitës në Tiranë.
Sipas tij, lideri i opozitës Sali Berisha është goditur me spraj paralizues, të cilin Boçi e cilësoi si “armë luftarake”.
“Kur donim të dilnim drejt selisë së Partisë Demokratike, policia kishte bllokuar rrugën. Është goditur edhe zoti Berisha bashkë me disa deputetë. Ai u godit me spraj paralizues. Një polic mund ta përdorë për vetëmbrojtje, por Berisha nuk sulmoi askënd. Ai ishte i targetuar”, u shpreh Boçi.
Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu ashpër sjelljen e forcave të rendit gjatë protestës, duke e cilësuar atë si agresive dhe të pashpjegueshme.
Sipas tij, ndërhyrja e policisë ishte e pajustifikuar dhe e koordinuar në mënyrë të tillë që të pengonte protestuesit të lëviznin lirshëm drejt selisë së opozitës.
Boçi shtoi se gjatë përplasjes mungonte transparenca nga drejtuesit e operacionit policor, duke pretenduar se komandantët shmangnin përgjegjësinë dhe nuk jepnin shpjegime për veprimet e ndërmarra.
Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike, pas protestës së opozitës që u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë në kryeqytet.
