Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është pritur në një takim në Budapest të enjten nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në prag të një seance të Këshillit Strategjik për Bashkëpunim ndërmjet dy vendeve.
Vuçiq shkroi në llogarinë e vet në Instagram se Orbani dhe Qeverinë e tij “nuk janë vetëm partnerë strategjikë e politikë të Serbisë, por edhe miq të sinqertë”.
Zyra e Vuçiqit ka bërë të ditur se në seancën e Këshillit do të marrin pjesë edhe anëtarë të qeverive, të cilët pas seancës do të nënshkruajnë një sërë dokumentesh dypalëshe.
Kjo është seanca e dytë e Këshillit Strategjik për Bashkëpunim ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.
E para u mbajt në qershor të vitit 2023 në Paliq, kur u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi, si dhe një marrëveshje për ndërtimin e një tubacioni nafte që do ta lidhë rafinerinë e Novi Sadit me Hungarinë.
Siç është paralajmëruar, ky tubacion duhet të ndërtohet deri në vitin 2027.
Serbia dhe Hungaria bashkëpunojnë edhe në çështjen e gazit. Në korrik 2023, ata nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një kompanie të përbashkët tregtare të gazit.
