Në Tivat të Malit të Zi po zhvillohet samiti i nivelit të lartë mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokus kryesor procesin e zgjerimit të BE-së dhe përshpejtimin e integrimit të rajonit.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka theksuar se Bashkimi Evropian synon të shqyrtojë mekanizma të rinj për të përshpejtuar anëtarësimin e vendeve kandidate, duke nxitur njëkohësisht reformat në sundimin e ligjit, demokraci dhe ekonomi.
Në samit marrin pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Aktualisht, Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen vendet më të avancuara në procesin e integrimit evropian.
Një nga temat kryesore të diskutimit pritet të jetë edhe zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe forcimi i sigurisë dhe stabilitetit rajonal në një klimë të ndërlikuar gjeopolitike.
Në fokus mbetet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. BE ka përsëritur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është kusht i rëndësishëm për avancimin e tyre drejt anëtarësimit në union.
Një tjetër çështje që pritet të diskutohet janë format e ndërmjetme të afrimit me BE-në. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar modele të reja integrimi gradual për vendet kandidate, përfshirë statusin e vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë.
Ndryshe nga samitet e mëparshme, takimi i Tivatit nuk pritet të përfundojë me një deklaratë të përbashkët. Megjithatë, një nga rezultatet konkrete që pritet të prezantohet është përfshirja e rajonit në zonën evropiane pa roaming, e cila mund të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm.
Sipas organizatorëve, në samit marrin pjesë rreth 35 delegacione ndërkombëtare dhe mbi 20 liderë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
