Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka komentuar zhvillimet e protestës së një dite më parë pranë Kuvendit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Gjatë një aktiviteti në Elbasan, Lamallari deklaroi se Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje me ligjin dhe ka bërë dallimin mes qytetarëve që ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të protestuar dhe personave që, sipas tij, kanë kryer akte të dhunshme.
“Policia e Shtetit gjatë protestave e ka zbatuar detyrën në mënyrë profesionale, duke bërë dallimin mes protestuesve që ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe një grupi personash që, sipas nesh, kanë shkelur ligjin. Çdo përgjigje e policisë do të jetë proporcionale me shkeljet e konstatuara”, u shpreh ministri.
Lamallari tha se, sipas autoriteteve, incidentet nisën me sulme ndaj punonjësve të policisë.
“Protesta është e ligjshme, por nuk mund të goditen punonjësit e policisë dhe as gazetarët që janë duke ushtruar detyrën e tyre”, deklaroi ai.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se institucionet kanë marrë kërkesa nga organizatat e gazetarëve për garantimin e sigurisë së përfaqësuesve të medias gjatë mbulimit të protestave.
Sipas Lamallarit, personat që dëmtojnë pronën publike ose ushtrojnë dhunë nuk duhet të konsiderohen protestues paqësorë, por shkelës të ligjit.
Deklaratat e ministrit vijnë pas përplasjeve të regjistruara pranë Kuvendit, ku pati të lënduar nga të dyja palët, persona të ndaluar dhe akuza të ndërsjella mes organizatorëve të protestës dhe autoriteteve për mënyrën e menaxhimit të tubimit dhe përdorimin e forcës.
