Reuters: Protestat në Shqipëri përbëjnë një provë politike për qeverinë e Edi Ramës

Data

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke e cilësuar valën e protestave si një sfidë të rëndësishme politike për qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Sipas Reuters, demonstratat, të cilat nisën si kundërshtim ndaj një projekti turistik në zonën e Zvërnecit, janë zgjeruar në protesta më të gjera kundër qeverisë, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe shprehin shqetësime për korrupsionin, transparencën dhe funksionimin e institucioneve.

Në artikull thuhet se:

“Protestat janë një provë për kryeministrin Edi Rama, i cili është në pushtet që prej vitit 2013 dhe të cilin shumë e fajësojnë për moszhdukjen e korrupsionit ose për mosbërjen e mjaftueshme në shërbimet bazë, si kujdesi shëndetësor.”

Reuters raporton se protesta pranë Kuvendit u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Sipas agjencisë, policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa një pjesë e protestuesve hodhën vezë, miell dhe sende të tjera në drejtim të policisë dhe deputetëve.

Artikulli thekson se protestat kanë në qendër akuza për korrupsion dhe mungesë transparence në lidhje me projekte zhvillimore në bregdet dhe në zona të mbrojtura, ndërsa vëren se qeveria shqiptare i ka mohuar këto akuza.

Sipas Reuters, pakënaqësitë u nxitën fillimisht nga kundërshtimi ndaj një projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e Zvërnecit, ku është përmendur edhe emri i Jared Kushner, por më pas lëvizja protestuese u zgjerua duke përfshirë kërkesa më të gjera politike dhe institucionale.

Agjencia raporton gjithashtu se protestuesit u mblodhën përpara nisjes së seancës parlamentare dhe se tensionet u përshkallëzuan gjatë ditës, ndërsa autoritetet ndërhynë për të shpërndarë turmën.

Pasqyrimi i Reuters i shtohet raportimeve të mediave të tjera ndërkombëtare, të cilat gjatë ditëve të fundit kanë ndjekur zhvillimet që lidhen me protestat dhe debatet politike në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related