Kryeministri Edi Rama komentoi sërish protestat që po zhvillohen në vend, gjatë një aktiviteti të zhvilluar mbi administratën publike dhe shërbimet ndaj qytetarëve.
Në fjalën e tij, Rama përdori tone kritike ndaj një pjese të protestuesve, duke i cilësuar si “dështakë” dhe “zemërakë”, por shtoi se mes pjesëmarrësve ka edhe qytetarë me shqetësime reale ndaj funksionimit të administratës publike.
Duke sjellë shembullin e një të moshuare, të cilën tha se e njeh personalisht, kryeministri argumentoi se shumë qytetarë ndihen të zhgënjyer për shkak të problemeve në shërbimet publike, veçanërisht në sistemin shëndetësor.
Sipas Ramës, raste si vonesat në ofrimin e shërbimeve mjekësore, mungesa e respektit ndaj qytetarëve dhe sjellja jo korrekte e disa punonjësve publikë krijojnë ndjenjë poshtërimi dhe pakënaqësie.
“Njerëzit nuk e tolerojnë mungesën e njerëzillëkut. Mjafton që një qytetar të përballet me një sjellje të tillë për të krijuar një ndjenjë të fortë padrejtësie”, u shpreh ai.
Kryeministri tha se këto raste nuk përfaqësojnë shumicën e administratës publike, por pranoi se ekzistojnë probleme që kërkojnë ndërhyrje dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.
Ai shtoi se qeveria ka ngritur mekanizma për monitorimin e institucioneve publike, përfshirë strukturat kundër korrupsionit dhe kontrollet e papritura në administratë.
Duke iu referuar luftës kundër korrupsionit, Rama deklaroi se, sipas tij, sistemi i drejtësisë dhe institucionet po ndërmarrin veprime që nuk janë parë më parë.
“Po hyhet aty ku nuk është hyrë kurrë. Sistemi, për herë të parë, po lufton korrupsionin”, tha kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë një ditë pas përplasjeve mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit pranë Kuvendit, ku pati persona të lënduar, të ndaluar dhe akuza të ndërsjella mes organizatorëve të protestës dhe autoriteteve për përdorimin e forcës dhe përgjegjësinë për incidentet.
