Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka njoftuar se përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026 financimi për Policinë e Shtetit do të rritet me 701 milionë lekë, me synimin për të përmirësuar mbështetjen për efektivët dhe për të avancuar procesin e modernizimit të institucionit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Lamallari bëri të ditur se fondet shtesë do të përdoren për rritjen e mbështetjes financiare për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit, investime në teknologji, motivimin e strukturave elitare dhe përmirësimin e kapaciteteve operacionale.
“Përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, rrisim me 701 milionë lekë financimin për Policinë e Shtetit. Më shumë mbështetje për pagat e efektivëve, më shumë investime në teknologji, më shumë motivim për strukturat elitare dhe një tjetër hap i vendosur drejt modernizimit sipas standardeve më të mira evropiane. Një polici më e fortë do të thotë një Shqipëri më e sigurt,” u shpreh ministri.
Sipas Lamallarit, kjo rritje e financimit është pjesë e angazhimit të qeverisë për forcimin e Policisë së Shtetit, duke synuar një institucion më modern, më të pajisur dhe më të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë dhe për të garantuar mbrojtjen e rendit publik, jetës dhe pronës së qytetarëve.
