Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kërkuar sërish transparencë nga Ministria e Mbrojtjes lidhur me aktivitetin e kompanisë “Advanced Arms Technology” (AAT), duke akuzuar ministrin Ermal Nufi për mosdhënie informacioni mbi prodhimin dhe eksportin e armatimit.
Përmes një reagimi publik, Këlliçi kujtoi se gjatë interpelancës parlamentare të 23 prillit, ministri Nufi deklaroi se AAT prodhon armë dhe se ato përdoren aktualisht në zona konfliktesh. Sipas tij, më 28 prill 2026 i ka drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes një kërkesë zyrtare për informacion, por edhe pse kanë kaluar më shumë se 60 ditë, nuk ka marrë ende përgjigje, pavarësisht afatit ligjor prej 15 ditësh.
Deputeti demokrat kërkon sqarime nëse ministri e konfirmon ende deklaratën e bërë në Kuvend, sa armatim dhe municione janë prodhuar nga AAT, në cilën fabrikë janë prodhuar armët, si dhe kur është realizuar eksporti i parë dhe cili ka qenë destinacioni i tij.
“Heshtja nuk të shpëton nga përgjegjësia ligjore. Kur zgjedh t’i shërbesh pushtetit të Edi Ramës në dëm të interesit publik, kujtoje rregullin e vjetër të politikës se ai që pranon të bëhet ushtari i mbretit për të mbuluar zullumet e tij, nuk arrin dot deri në fund të lojës. Në shah, mbreti mbrohet deri në fund, ushtarët sakrifikohen pa mëshirë. Për më shumë, pyet shefe Belën”, shprehet Këlliçi në reagimin e tij.
Ai akuzon Ministrinë e Mbrojtjes për mungesë transparence dhe kërkon përgjigje publike mbi kontratat, prodhimin dhe eksportin e armatimit nga kompania “Advanced Arms Technology”.
