Gjykata Kushtetuese tregoi me rastin e çështjes së Belinda Ballukut se standardet e saj ndryshojnë në varësi të emrit që vendoset në tavolinë. Vendimi për të hequr pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës bie në kundërshtim të plotë me qëndrimin që e njëjta trupë mbajti më herët në rastin e Sali Berishës.
Vendimi për rikthimin në detyrë të Ballukut u mor me një votim të ndarë 5 me 3, ndërsa kalimi i çështjes për shqyrtim në seancë plenare u miratua me 6 vota pro dhe 2 kundër. Ajo që bie në sy është fakti se shumica e gjyqtarëve që votuan pro Ballukut kishin mbajtur një qëndrim krejtësisht të kundërt në çështjen Berisha.
Pro rikthimit në detyrë të Ballukut dhe kalimit të çështjes në seancë plenare votuan gjyqtarët: Fiona Papajorgji, Marjana Semini, Sonila Bejtja, Gent Ibrahimi, Sandër Beci dhe Ilir Toska. Ky i fundit rezulton se ka ndryshuar qëndrim krahasuar me rastin Berisha, ku kishte votuar kundër kalimit të çështjes në shqyrtim.
Nga dokumentet e publikuara rezulton se vetëm gjyqtarët Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi kanë qenë kundër kalimit të çështjes Balluku në seancë plenare. Në opinionin e pakicës, ata shprehen se vendimi për pezullimin nga detyra nuk duhej të ishte pezulluar dhe se çështja nuk plotësonte kriteret paraprake të pranueshmërisë.
Nga gjashtë gjyqtarët që votuan pro Ballukut, vetëm Sonila Bejtja ka mbajtur të njëjtin standard si në rastin Berisha, duke mbështetur shqyrtimin në themel në të dyja çështjet. Katër gjyqtarët e tjerë që në dhjetor 2023 votuan kundër shqyrtimit të çështjes Berisha, në dhjetor 2025 ndryshuan tërësisht qëndrim duke votuar pro Ballukut.
Paralelet mes rasteve Berisha dhe Balluku
Të dy subjektet kanë qenë deputetë dhe ndaj të dyve janë vendosur masa sigurie nga Gjykata e Posaçme, përfshirë pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit. Në të dy rastet, vendimet janë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga subjekte të legjitimuara kushtetuese: një e pesta e deputetëve në rastin Berisha dhe kryeministri në rastin Balluku.
Në dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese refuzoi kalimin në shqyrtim të ankimit për Berishën me argumentin se një e pesta e deputetëve, ndonëse subjekt kushtetues, nuk legjitimohej për të vënë në lëvizje gjykatën. Ky vendim u mor me votim 8 me 1.
Në rastin Balluku, ndonëse u përdor i njëjti parashikim kushtetues, Gjykata Kushtetuese mbajti një qëndrim diametralisht të kundërt, duke pranuar ankimin e kryeministrit dhe duke hequr pezullimin nga detyra.
Ky ndryshim i thellë qëndrimi, pa asnjë ndryshim thelbësor në rrethanat juridike, ngre pikëpyetje serioze mbi koherencën, pavarësinë dhe standardet e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, e cila në këtë rast duket se ka përshtatur drejtësinë sipas peshës politike të emrit mbi dosje.
