Një laborator jashtë vendit ka marrë përsipër kryerjen e analizave të mbetjeve të KURUM, të cilat dyshohen të jenë të rrezikshme dhe pas kthimit mbrapsht nga Tajlanda, janë vendosur në Porto Romano dhe ruhen me forca policie. Mbetjet u kthyen pasi u ngrit alarmi se ishin toksike dhe ishin nisur drejt Tajlandës nga kompania “Sokolaj” shpk, e Gjovana Sokolaj, pa marrë autorizimin e vendit pritës. Për të konfirmuar se çfarë ndodhet brenda 102 kontejnerëve duhej të merreshin mostrat dhe të kryheshin analizat.
Por institucionet shqiptare nuk morën përsipër ta bënin këtë dhe Prokuroria e Durrësit, nën presionin e organizatave ndërkombëtare, kërkoi ndihmën e ekspertëve të huaj. Tashmë, sipas burimeve, është identifikuar laboratori që do të kryejë analizat dhe pritet të mbërrijnë ekspertët për të marrë mostrat. Por për këtë proces janë dashur plot 8 muaj, gjatë të cilëve Prokuroria e Durrësit, e drejtuar nga Suela Beluli, ka fjetur mbi dosje, duke i dhënë kohë të mjaftueshme personave përgjegjës në qeveri, përfshirë Gjovana Sokolajn dhe kompaninë KURUM, të fshijnë gjurmët e veprës penale. Hetimet fillimisht u kryen nga prokurorja Mediana Metaj, por çështja mbeti pezull pa rezultate konkrete.
Për më tepër, kjo “qetësi” është ndihmuar edhe nga heshtja e pjesës më të madhe të medias, e cila për shkak të marketingut të KURUM ka shmangur t’i japë vëmendje një skandali me përmasa kombëtare. Po aq domethënëse është heshtja e qeverisë dhe apatia e opozitës, të cilat për një çështje kaq të prekshme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve kanë zgjedhur të mos flasin. Transporti i mbetjeve toksike mbetet një temë e paprekur nga politika dhe media, ndërkohë që problemi më i madh nuk është më rruga e dështuar drejt Tajlandës, por fakti që këto mbetje vazhdojnë të depozitohen brenda territorit të Shqipërisë.
