Kuvendi me televizion të vetin, projekti që kushton 500 mijë euro

Data

Kuvendi i Shqipërisë po përgatitet të krijojë një televizion të vetin institucional, në një kohë kur në opinionin publik vijon debati mbi të ardhmen e televizionit publik. Projekti parashikon një investim prej rreth 500 mijë eurosh dhe synon ngritjen e një redaksie televizive brenda institucionit të Kuvendit.

Sipas dokumentit shoqërues, parashikohet krijimi i një “Media Room”, e konceptuar si një qendër multimediale profesionale që do të funksionojë në mënyrë të përhershme dhe do të bashkëpunojë ngushtë me RTSH-në për transmetimin e veprimtarisë parlamentare në kanalin “RTSH Kuvend”.

Për këtë qëllim, do të ngrihet një drejtori e re pranë Shërbimit të Informacionit dhe Dokumentacionit, e cila do të ketë tre funksione kryesore:

  • Informues, për të përcjellë në mënyrë transparente punën e Kuvendit;
  • Analitik, për të shpjeguar proceset ligjvënëse dhe reformat;
  • Edukues, për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë rolin dhe funksionet e Parlamentit.

Në fazën fillestare, parashikohet një strukturë e reduktuar me staf minimal dhe prodhim të përmbajtjeve bazë, si transmetime live të seancave dhe komisioneve, kronika informative dhe intervista. Bashkëpunimi me RTSH-në do të përfshijë transmetimin dhe arkivimin e materialeve.

Fondi prej 500 mijë eurosh do të përdoret për ndërtimin e një studioje moderne televizive, pajisje për prodhim video dhe audio, si dhe për zhvillimin e një platforme publike televizive të integruar me teknologji të inteligjencës artificiale. Projekti parashikon gjithashtu titrim automatik, komentim opsional dhe gjuhë shenjash për seancat parlamentare.

Televizioni parlamentar synon të ofrojë kronika ditore dhe javore, përmbledhje tematike të debateve ligjvënëse, arkiv digjital të indeksuar, shërbime për media dhe deputetë, si dhe përmbajtje edukative mbi historinë dhe kulturën parlamentare, të shpërndara edhe në platformat online dhe rrjetet sociale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related