Kushtetuesja: Pezullimi i Ballukut është ligjor, imuniteti nuk është mburojë ndaj hetimit penal

Data

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për pezullimin nga detyra të ish-zv/kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke theksuar se masa e vendosur nga Gjykata e Posaçme nuk shkel Kushtetutën.

Në vendimin e datës 6 shkurt, i marrë me votim të ndarë 4 me 4, Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e Ballukut nga detyra. Në arsyetimin e plotë theksohet se imuniteti nuk është një privilegj personal, por një garanci funksionale që synon të mbrojë ushtrimin e detyrës publike.

Sipas gjykatës, masa e pezullimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale nuk përfshihet në garancitë e imunitetit dhe nuk kërkon autorizim nga Kuvendi.

Gjykata argumenton se kjo masë nuk cenon lirinë personale dhe nuk prek të drejta themelore të individit, ndërsa synon të mbrojë integritetin e hetimit penal duke shmangur rrezikun që ushtrimi i funksionit publik të ndikojë në procesin hetimor.

Në vendim theksohet gjithashtu se ministrat, përveç përgjegjësisë politike para Kuvendit, mbajnë edhe përgjegjësi penale individuale në rast se gjatë ushtrimit të detyrës kryejnë vepra penale.

Gjykata sqaroi se interpretimi i imunitetit duhet të bëhet në mënyrë të kufizuar dhe nuk mund të zgjerohet përtej rasteve të përcaktuara shprehimisht në Kushtetutë.

Sipas arsyetimit, pezullimi i një ministri nga detyra nuk cenon ndarjen e pushteteve, pasi masa i drejtohet individit dhe jo institucionit, ndërsa funksionimi i qeverisë mund të vijojë përmes mekanizmave të zëvendësimit të parashikuar në Kushtetutë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related