“Nesër më shumë”, protestuesit marshojnë drejt Pallatit me Shigjeta: “Edi Rama ka mbaruar”

Data

Protestuesit vijuan edhe mbrëmjen e sotme marshimin në rrugët kryesore të Tiranës, duke përmbyllur ditën e 18-të të mobilizimit qytetar me thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Pas grumbullimit për disa orë para Kryeministrisë, mijëra pjesëmarrës u drejtuan në këmbë drejt zonës së Pallatit me Shigjeta, duke mbushur akset kryesore të kryeqytetit me pankarta, flamuj dhe slogane proteste.

Gjatë marshimit u dëgjuan vazhdimisht thirrje si “Rama jep dorëheqjen!”, “Ju erdhi fundi!”, “Revolucion!” dhe “Edi Rama ka mbaruar!”, slogane që janë bërë simbol i protestave të ditëve të fundit.

Pjesëmarrësit u bënë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që t’u bashkohen në tubimet e ardhshme, ndërsa në kor përsëritën mesazhin: “Bashkohuni me ne!”.

Një nga thirrjet më të përsëritura në fund të marshimit ishte edhe “Nesër më shumë!”, duke sinjalizuar synimin e organizatorëve dhe protestuesve për të vijuar mobilizimin edhe në ditët në vijim.

Protesta, e cila nisi si reagim ndaj çështjeve mjedisore dhe zhvillimeve në zonën e Zvërnecit, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, ku janë artikuluar kërkesa që lidhen me qeverisjen, transparencën, drejtësinë dhe ndryshimet politike në vend.

Marshimi vijoi pa incidente, ndërsa protestuesit deklaruan se do të rikthehen sërish në shesh për të vazhduar presionin qytetar ndaj institucioneve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related