Rreth një javë më parë, media ndërkombëtar “Bloomberg” raportoi një shqetësim të organizatave ambjentaliste, të cilat kishin pikasur se, një ngarkesë prej 800 tonë mbetje të dala nga shkrirja e metaleve në furrat me hark elektrik, të konsideruara si “të rrezikshme”, kishte dalë nga Porti i Durrësit, me destinacion Tajvanin.
Kjo ngarkesë pritej të mbërrinte në datë 20 gusht 2024, por autoritetet tajvaneze, pas alarmit të ngritur, refuzuan ta pranojnë këtë ngarkesë.
Më tej, në median shqiptare u raportua se një ngarkesë e ngjashme, e nisur nga Porti i Dujrrësit dhe mbërritur në Kinë, në prill të këtij viti, ishte bllokuar nga autoritetet e Pekinit dhe kanë vendosur që kontenierët të rikthehen sërish në pikën e nisjes (Shqipëri).

Megjithëse ky rast përbënte një shqetësim ndërkombëtar, autoritetet shqiptare qëndruan “memece” për ditë të tëra.
Reagimet e para erdhën vetëm duke nisur nga pasditja e të Martës (20 Gusht 2024). Por, edhe këto njoftime sqaruese përmbajnë gjysmë të vërteta, të cilat shtojnë më shumë kakofoninë dhe tregojnë se strukturat qeveritare shqiptare duket se kanë një problem shumë të madh me këtë histori.
Pa marrë përsipër vërtetësinë e plotë të informacioneve, “Boldnews.al” ka vizatuar një trekëndësh të përfshirë në këtë histori, të paktën sipas raportimeve mediatike të deritanishme.
Ngarkesa me mbetje metalore është prodhuar nga shoqëria “Kurum” që operon në zonën e ish-Metalurgjikut të Elbasanit. “Kurum” ia ka shitur shoqërisë shqiptare “Sokolaj” dhe kjo e fundit, nëpërmjet kontenierëve të kompanisë ndërkombëtare “MAERSK” e ka nisur për eksport drejt Tajlandës.
Nisur nga ky “trekëndësh”, do të shohin se si gjysmë-të vërtetat po tentojnë të mjegullojnë sa më shumë skandalin.
E para që reagoi me gjysëm zëri për këtë histori është Ministria e Mjedisit. Në prononcim për një media shqiptare, kjo ministri u shpreh:
“Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS”, deklaroi Ministria e Mjedisit, duke iu referuar kompanisë turke “Kurum”.
