Belinda Balluku, ministrja e preferuar e kryeministrit Edi Rama ndodhet në pozita shumë të vështira me drejtësinë, pasi dosjet e saj sa vijnë e shtohen në Prokurorinë e Posaçme. E fundit që u dorëzua në tryezën e SPAK ditën e djeshme është afera me shit-blerjen e energjisë. Mësohet se grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, ku e akuzon se vetëm për 1 vit ka abuzimi me shit-blerjen e energjisë elektrike ka shkuar në mbi 180 milion euro.
Në një konferencë për mediat ku denoncoi skandalin, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se Balluku, me veprimet dhe mosveprimet e saj, ka lejuar që energjia elektrike të shitet me humbje jashtë tregut të Bursës, në kundërshtim me ligjin dhe vendimet në fuqi, duke vjedhur hapur qytetarët shqiptarë dhe duke favorizuar 4-5 kompani pranë saj. “KESH ka shkelur ligjin vitin e kaluar dhe deri në këtë moment që flasim, pasi nuk e ka nxjerrë energjinë e pa kontraktuar në Bursë, por e ka blerë shtrenjtë dhe e ka shitur lirë tek kompani private seksere të shitblerjes së energjisë elektrike”, tha demokratike.
Detajet
Bardhi e ilustroi edhe me shembuj konkret se si po grabiten miliona euro me shit-blerjen e energjisë elektrike, teksa shpjegoi edhe rolin e Belinda Ballukut në këtë aferë abuzimi prej miliona eurosh. “Ministrja e Energjisë është Kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it, personi përgjegjës që firmos për shpenzimet dhe bilancet e kompanisë. Pa miratimin e Belinda Ballukut, skema okulte e shitblerjes së energjisë jashtë bursës dhe abuzimi me miliona euro do të ishte ndalur. Ministrja e Energjisë, si kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar praktikën e paligjshme të shitblerjes së energjisë jashtë bursës, me një dëm të frikshëm”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, skema korruptive me shit-blerjen e paligjshme të energjisë elektrike jashtë bursës në përfitim të pak kompanive private është vetëm maja e ajsbergut. Bardhi tha se nga verifikimet e bëra prej ekspertëve të PD-së, KESH ka falsifikuar të dhënat e dorëzuar tek Enti i Energjisë, për të fshehur tregtinë e paligjshme që ka bërë me energjinë, e cila shitet me çmime të ndryshme për fasha të ndryshme orari. Sipas tij, këto fasha orari energjie të tregtuara jashtë bursës, KESH nuk i ka raportuar, sepse, kur të dhënat kryqëzohen, rezulton se kompania shtetërore e energjisë nuk ka mbrojtur interesin publik për të rritur fitimet apo minimizuar humbjet, por ka vepruar në interes të kompanive private për rritjen e fitimit të tyre.
Skandali
Kreu i grupit parlamentar të PD-së deklaroi më tej se ky skandal shtrihet edhe në manipulimin për humbjet në rrjetin e energjisë. “Ky është një nga skandalet më të mëdha të tregut të energjisë në Shqipërisë, që shtrihet edhe në manipulimin për humbjet në rrjetin e energjisë. Nga përllogaritjet e ekspertëve rezulton se humbjet faktike janë në nivelin 27.2% për tensionin e ulët dhe 1.3% për tensionin e lartë, duke sjellë, vetëm për vitin 2023, një vlerë totale të humbjeve prej 144 milionë eurosh. Një dëm i jashtëzakonshëm ky, të cilin e paguajnë çdo ditë qytetarët përmes çmimit të lartë të energjisë elektrike. Me raportimin e të dhënave të pasakta për të fshehur abuzimin dhe keqmenaxhimin e rrjetit të energjisë, me tregtimin e paligjshëm jashtë bursës të energjisë elektrike, me mosmarrjen e masave për të parandaluar shkeljen e ligjit dhe këtë skemë gjigande korruptive, Belinda Balluku dhe të gjithë drejtorët e saj kryesorë në fushën e emergjisë kanë sjellë një dëm vetëm për vitin 2023 prej mbi 180 milionë euro”, tha ai.
