Dosja e SPAK ndaj organizatës kriminale të Suel Çelës, zbuloi se kreu i këtij grupi kishte ndikim dhe kontroll mbi shumë persona, mes të cilëve gjyqtarë, policë, gazetarë, etj, por çuditërisht nga SPAK nuk ka dalë emri i asnjë politikani po që i ka bërë të mundur bandës që t’i ketë “krahët e ngrohta”. Këtë fakt e ka evidentuar analisti Andi Bushati, i cili shprehet se kjo dosje e hetuar nga Prokuroria e Posaçme fsheh pushtetarë të lartë që kanë favorizuar kriminelët në Elbasan.
“Po të bëhet një llogaritje e pasqyrimit mediatik të “goditjes spektakolare”, që SPAK ndërmori ndaj bandës së Suel Çelës në Elbasan, vërehet me lehtësi një anomali. Shumica e titujve i dedikohen “korruptimit” të gazetarëve Artan Hoxha e Elton Qyno, mënyrës se si ata “prodhonin lajme për llogari të bandave”, në këmbim të parave që merrnin prej tyre. Për të shkuar edhe më tej, një tjetër tymnajë u ngrit me të madhe edhe rreth vrasjes së mundshme të Saimirit të Stopit. Po të lexoje pështjellimin që krijuan këto “zbulime” ngjante sikur “spin doctors-at” e SPAK e kishin arritur qëllimin. Duke pompuar emrat e gazetarëve ata e patën përllogaritur përmasën e zhurmshme që kjo ngjarje do të merrte, aq sa për të lënë në heshtje çdo aspekt tjetër.
Pak, fare pak, zëra vigjilentë u kujdesën të ngrenë pyetjen: Po pse duhej të ishte prioritet i prokurorëve të posaçëm, qoftë edhe nëse ishte e vërtetë që Artan Hoxha paskësh manipuluar për llogari të një bande? Nëse kjo ka ndodhur, ajo përbën pa asnjë dyshim një përdhosje të moralit dhe profesionit të gazetarit, si nga ai, apo qoftë edhe nga Qyno, por deri këtu. Ata as kanë vrarë njeri, as kanë nxjerrë dikë në pritë, as kanë shitur vota, drogë apo armë. Mëkatet e tyre duhet të qenë në fundit në klasifikimin e shqetësimeve të prokurorëve, nëse ata nuk kishin qëllim të vërtetonin teorinë e “mediave të kazanit”. Pra, ç’i hynte në punë SPAK-ut se Artan Hoxha kishte arritur të manipulonte emisionin e Fevziut, apo Elton Qyno lajmet e Karlo Bolinos?
Mos vallë këto qenë krimet më mostruoze të bandës së Suel Çelës? Këto dilema bëhen edhe më të mëdha po të vëzhgohet përmasa që mori episodi i vrasjes në tentativë të drejtuesit të Stop. Po të lexohet dosja me vëmendje shikohet që ajo është një budallallëk me brirë. Suel Çela duket hapur që tallet me atë gjyqtaren e neveritshme që ia kërkon këtë edhe as nuk ka ndërmend të qëllojë mbi gazetarin. Edhe vetë Saimir Kodra e pohoi me modesti se ai as nuk kishte ndjerë, as nuk kishte marrë kurrë kërcënime. Pra kjo flluskë qe thjeshtë qesharake për të fituar përmasat që mori”, shkruan ai.
