Të gjithë kandidatët në zgjedhje të jenë të barabartë dhe jo disa të nënës e disa të njerkës. Me këtë kërkesë u bënë bashkë dje para Gjykatës Kushtetues deputetë të opozitës që nuk janë pranë Berishës dhe parti të reja të vogla që pretendojnë të hyjnë në Parlament. Kërkesat e 7 partive, mes tyre ajo e LZHK-së së Dash Shehit, ajo e Bashës, e Nismës Thurje dhe e Adriatik Lapajt, vunë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese kundër ndryshimeve PD-PS të Kodit Zgjedhor fund korrikun e kaluar, e sot në Gjykatë Kushtetuese u mbajt seanca e parë e hapur. Partitë e vogla dhe kreu i demokratëve euroatlantikë kërkojnë që listat e deputetëve të jenë 100 % të hapura, dhe të mos jetë 1/3 e mbyllur, siç u dakordësia nga dy të mëdhatë e politikës.
Reagon Shehi
Kreu i LZH-së Dashamir Shehi e quajti iniciativën e tyre të domosdoshme për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Ai i kërkoi anëtarëve të gjykatës Kushtetuese të shqyrtojnë a është e moralshme kjo marrëveshje PS e PD e kthyer tashmë në ligj. “Ky ligj që është sot i ka të gjithë elementet për të qenë kushtetues. Ju mund ta kaloni por dhe mund ta ndryshoni. Unë them se gjykata Kushtetuese duhet të shkojë në thelb të ligjit. Mazhorancat kanë të drejtën e vet të bëjnë ligje. Në këtë rast kemi një marrëveshjes mes dy mazhorancave, PD e PS, por gjykata Kushtetuese nuk është thjesht për të mbrojtur mazhorancën apo për t’i dhënë të drejtë, por për të mbrojtur minorancën. Kështu garantohen të gjithë palët.
Edhe zotërinjtë e dy palëve të mazhorancës që kanë bërë këtë marrëveshje që është kthyer me ligj të ruajnë të drejtat e veta që kanë pretenduar por dhe pjesa tjetër e shqiptarëve që mendojnë për ndryshim të kenë mundësi të marrin të drejtat e veta. Kanë bërë një gardh, kanë rrethuar kundërshtarët e vet që t’ia bëjnë të pamundur të konkurrojnë politikisht. Si mendoni a mund të mbushë një parti 1/3 e votave që ti burojë e drejta që të marrë një kandidat nga lista e hapur kjo është e pamundur në të gjithë territorin e Shqipërisë. A duhet patjetër që të mbash një të tretën e listës që të hyj dikush prapa që të marrë shumë më tepër vota, sesa ato kanë hyrë në listën e mbyllur është shkelje e parimit, se nuk jemi të barabartë.
Janë të gjitha shanset, do i bënit një nder të madh sensit të shtetit shqiptar. Në një farë mënyrë jo se do i bënit favor disa parti të vogla,se ato hyjnë në parti të mëdhaja. Kush do të bëhet deputet do e gjejë shtegun për tu marrë vesh, siç ka ndodhur. Nëse do i kthejmë sensit të Kushtetues, jo interpretimit klasik. Të gjithë ligjet janë të kushtetueshme, por a janë të moralshme? Prandaj ju ftova të reflektonit mbi këtë koncept”, deklaroi Shehi.
Disa nga partitë hoqën dorë nga kërkesa për pezullimin e zbatimit të neneve 67 dhe 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenet 5 dhe 9 të ligjit nr. 81/2024. Interpretimi përfundimtar i nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimi i tij”, ndërsa Jordan Daci, përfaqësuesi ligjor i Bashës në këtë seancë kërkoi që kjo kërkesë të merrej në shqyrtim. Ndërsa Kuvendi i përfaqësuar nga Mimoza Arbri dhe Viktor Gumi kundërshtuan pezullimin. Pasi dëgjoi palët Gjykata Kushtetuese doli me vendimin për të rrëzuar kërkesën për pezullim.
