Arratisja e bujshme e Altin Ndocit nga burgu i Durrësit nuk ka qenë një ngjarje e rastësishme dhe as një plan i improvizuar. Kështu është shprehur gazetarja Aida Topalli gjatë një lidhjeje live në një emision televiziv, duke zbuluar prapaskena të forta që, sipas saj, lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin e grupeve kriminale në Elbasan.
Sipas gazetares, grupi i Çopajve në Elbasan e kishte prej kohësh objektiv nxjerrjen e Altin Ndocit nga burgu. Ajo theksoi se Ndoci ishte pjesë e këtij grupi kriminal dhe konsiderohej një nga figurat kyçe, madje qitësi kryesor i tij.
“Nuk erdhi nga hiçi plani për arratisje dhe nuk ndodhi dje për sot. Bëhet fjalë për një plan të menduar mirë, gjë që duket qartë edhe në dosjen e Prokurorisë së Posaçme lidhur me hetimet ndaj grupit të Çopajve në Elbasan. Ata e donin me çdo kusht Altin Ndocin jashtë burgut,” u shpreh Topalli.
Sipas saj, Altin Ndoci, me origjinë nga Lezha, ishte arrestuar prej rreth gjashtë vitesh pas dëshmive të Klevis Hallës dhe Nuredin Dumanit, në kuadër të dosjes së njohur si “Plumbi i Artë”. Emri i tij ishte lidhur edhe me vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës në vitin 2019.
Gazetarja sqaroi se, pas humbjes së statusit të dëshmitarit të mbrojtur nga një prej bashkëpunëtorëve të drejtësisë, çështja për vrasjen e vëllezërve Haxhia ishte pushuar. Megjithatë, me daljen e dëshmitarëve të tjerë, emri i Altin Ndocit u përfshi sërish në hetime për një sërë veprash të rënda penale.
Nga bisedat e zbardhura në Sky ECC, sipas Prokurorisë së Posaçme, anëtarët e grupit Çopaj shprehen të gatshëm ta lirojnë Altin Ndocin, pasi kishin mbetur pa “qitës” në grupin e tyre. Po ashtu, ata kishin marrë përsipër pagesën e avokatit dhe mbështetjen financiare për familjen e tij, si një mesazh i qartë se nuk e kishin harruar.
