Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, lidhur me përkrahjen ndaj presidentit amerikan në luftën kundër drogës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Noka e cilëson Ballën pjesë të asaj që ai e quan “narkoshteti i vetëm në Europë”, duke e akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
“A ka fyerje më të madhe për shqiptarët sesa që një ushtar i kartelit të flasë për luftë kundër drogës? Taulant Balla del në përgjime, merr porosi dhe koordinon trafikun. Emri i tij është në dosje nga Londra dhe Brukseli,” shkruan Noka.
Sipas tij, Shqipëria është mbushur me drogë nga veriu në jug dhe paratë e krimit janë përdorur për të blerë vota, drejtësi dhe media. Noka akuzon drejtpërdrejt qeverinë dhe kryeministrin për ndërtimin e një sistemi të kapur nga kartelët e drogës, duke kërkuar përgjegjësi penale për drejtuesit e saj.
