Jorida Tabaku ka deklaruar se Partia Demokratike është e vendosur të mos tërhiqet përballë një sistemi që, sipas saj, është i kapur dhe i mbyllur ndaj interesave të qytetarëve. Gjatë turit të Foltoreve, Tabaku theksoi se fokusi kryesor i opozitës duhet të jenë problemet reale të shqiptarëve dhe nevoja për ndryshim të vërtetë politik.
Ajo pranoi se PD ka bërë gabime ndër vite, por nënvizoi se partia ka ditur të ngrihet pas çdo rrëzimi dhe të përballet me sfidat e kohës. Sipas Tabakut, guximi për të folur hapur dhe për të marrë përgjegjësi është kushti kryesor për të rikthyer besimin e qytetarëve.
“Ne nuk dorëzohemi. Kemi gabuar, jemi rrëzuar, por jemi ngritur sërish. Duhet të flasim për sistemin e kapur dhe të përqendrohemi te shqetësimet e shqiptarëve. Ky rrugëtim do të shkojë deri në fund,” u shpreh ajo, duke kërkuar mbështetjen e anëtarëve dhe simpatizantëve për vazhdimin e betejës politike.
