Kurbin nën ujë dhe në harresë! Gjekmarkaj shpërthen: Institucionet kanë dështuar, mjaft me propagandë boshe

Data

Situata e përmbytjeve në Bashkinë Kurbin ka dalë plotësisht jashtë kontrollit, duke lënë dhjetëra familje në mëshirë të ujit, me banesa të dëmtuara, rrugë të bllokuara dhe toka bujqësore të shkatërruara. Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar ashpër, duke e cilësuar gjendjen si një dështim total të institucioneve vendore dhe qendrore.

Sipas Gjekmarkajt, reshjet e fundit kanë ekspozuar paaftësinë e strukturave përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave, ndërsa qytetarët janë lënë të përballen vetëm me pasojat. Ai bën me dije se ka inspektuar nga afër zonat më të prekura së bashku me deputetin Kastriot Piroli dhe drejtuesin lokal të PD-së, Edmond Shkoza, ku janë konstatuar dëme serioze në banesa, ekonomi familjare dhe infrastrukturë rrugore.

“Rrugë të pakalueshme, shtëpi të rrethuara nga uji, familje të izoluara dhe asnjë reagim real nga institucionet. Kjo është panorama reale në Kurbin,” thekson ai, duke shtuar se banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për lirimin e rrugëve dhe mbrojtjen e pasurisë së tyre.

Partia Demokratike i bën thirrje kryetares së Bashkisë Kurbin që të dalë nga zyrat, të shkojë në terren dhe të marrë përgjegjësi për situatën, ndërsa qeverisë qendrore i kërkon të ndalë propagandën dhe justifikimet politike. Sipas reagimit, prioritet duhet të jetë dërgimi i menjëhershëm i mjeteve dhe ekipeve për pastrimin e kanaleve kulluese, hapjen e akseve rrugore dhe ndihmën direkte për familjet e prekura.

Në deklaratë kërkohet gjithashtu hartimi i një pakete emergjence për riparimin e dëmeve dhe marrja e masave afatgjata për përmirësimin e sistemit kullues dhe infrastrukturës, në mënyrë që Kurbinin të mos e përsërisë këtë skenar pas çdo shiu.

“Qytetarët e Kurbinit nuk mund të mbeten peng i infrastrukturës së paaftë dhe i deklaratave boshe. Shteti ka për detyrë të reagojë, jo të fshihet,” përfundon reagimi, duke garantuar se opozita do të vijojë të jetë në krah të banorëve dhe të kërkojë llogari për këtë situatë të rëndë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related