Ndërsa katër personat e arrestuar për vrasjen me tritol të 67-vjeçarit Hysni Ymeri pritet të dalin të hënën para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë, hetimet kanë zbuluar detaje të reja mbi rolet e secilit të dyshuar.
Sipas burimeve hetimore, Gerti Bushati dyshohet se është paguar 1 mijë euro për vendosjen e lëndës plasëse në paketën elektrike të pallatit ku banonte viktima, më 27 dhjetor, dy ditë para shpërthimit të telekomanduar. Shuma e parave është gjetur dhe sekuestruar në banesën e tij. Nuk dihet ende nëse i ishin premtuar pagesa shtesë.
Bushati është identifikuar përmes kamerave të sigurisë, të cilat e kanë fiksuar duke lëvizur në zonë dhe më pas duke ndërruar rrobat pas vendosjes së tritolit. Ai dyshohet se kishte veshur kominoshe mbi rrobat e zakonshme; pasi u largua, i hoqi dhe i hodhi pranë lumit. Rrobat janë sekuestruar si prova materiale.
Nga hetimet rezulton se ditën e ngjarjes, në lagjen “Manush Alimani”, ndodheshin edhe Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj. Grupi hetimor dyshon se shpërthimi i telekomanduar është aktivizuar nga Ibrahimi, në momentin kur 67-vjeçari po ngjitej drejt banesës.
Fillimisht u dyshua për një aksident elektrik, por ky version u hedh poshtë nga OSHEE. Pas ngjarjes, të dyshuarit u shoqëruan në polici dhe u mbajtën nën përgjim ambiental; pa qenë në dijeni, ata komunikuan mes tyre, duke ndihmuar zbardhjen e roleve.
Hetuesit theksojnë se të arrestuarit nuk kishin konflikte direkte me viktimën. Porositësi i krimit dhe motivi mbeten ende të paqartë dhe po hetohen.
Të dyshuarit do të përballen me akuza të rënda, përfshirë:
•Vrasje me paramendim në bashkëpunim
•Shkatërrim prone me eksploziv
•Armëmbajtje pa leje
•Prodhim dhe shitje narkotikësh në bashkëpunim
•Prishje e qetësisë publike
